Bordi i RTK-së kërkon sqarime nga menaxhmenti për publikimin e artikullit kontraverz
Bordi Radio Televizionit të Kosovës, ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme lidhur me transmetimin e një kronike në edicionin qendror të lajmeve më 22 korrik.
Në këtë mbledhje sipas komunikatës bordi ka kërkuar sqarime të detajuara nga menaxhmenti, si dhe ka shpreh keqardhje për publikimin e artikullit.
“Bordi i RTK-së sot ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme lidhur me trajtimin e një raportimi që ka ndodhur mbrëmë në RTK. Në takim janë ftuar u.d drejtoresha e përgjithshme e RTK-së, drejtori i kanaleve në gjuhën shqipe, u.d kryeredaktorja e RTK-së, udhëheqësja e Mediave Online të RTK-së dhe stafi përgjegjës editorial. Bordi i RTK-së e ka shqyrtuar me seriozitet publikimin e një artikulli kontraverz të hënën më 22 korrik 2024 në RTK, të marrë nga një medium boshnjak. Anëtarët e Bordit kanë shprehur shqetësimin e tyre mbi këtë lëshim të qartë dhe kanë kërkuar sqarime të detajuara nga menaxhmenti. Bordi shpreh keqardhje për publikimin e një artikulli ku janë apostrofuar mediat e Kosovës në mediumin boshnjak, ndonëse RTK në asnjë raportim nuk i ka përmendura ato. Kjo është theksuar nga stafi editorial gjatë takimit”, thuhet në komunikatë.
Sipas komunikatës u.d drejtoresha e RTK-së, Zana Spahiu, ka informuar se do të formojë një komision profesional për të sqaruar situatën në detaje dhe do të merren masa.
“U.d drejtoresha ka informuar bordin që do të formojë një komision profesional për ta sqaruar situatën në detaje dhe për ta ndriçuar përgjegjësinë editoriale për këtë lëshim dhe do të merr masa rigoroze konform ligjit dhe akteve të brendshme të RTK-së”, thuhet në komunikatë.
Gjatë ditës, shumë gazetarë e redaktor të mediumit publik, janë distancuar nga lajmi i publikuar, ndërkohë një nga mediat e përmendura të Kosovës ka paralajmëruar ushtrim të padisë ndaj mediumit boshnjak dhe ankesë ndaj RTK-së.
Lajmet Bordi i RTK-së kërkon sqarime nga menaxhmenti për publikimin e artikullit kontraverz >> Rahoveci INFO.