Bordi aktual i Trepçës akoma pa përfaqësues të punëtorëve

Në përbërjen aktuale të Bordit të Përkohshëm Mbikëqyrës të “Trepçës”, punëtorët e ndërmarrjes nuk e kanë një përfaqësues.

Punëtorët, të cilët janë pronarë të 20% të aksioneve të ndërmarrjes, sipas Ligjit për “Trepçën”, duhet ta kenë së paku një përfaqësues të tyre në përbërje të Bordit.

Sipas nënkryetarit të Sindikatës së Minatorëve të “Trepçës”, në mungesë të një përfaqësuesi të tyre në bord, Qeveria nuk do të ketë informacione sa i përket telasheve që mund t’i kenë punëtorët.

“Në fakt na bën problem neve si dhe Bordit, sepse e njofton edhe Bordin edhe Qeverinë për problemet e punëtorëve dhe të “Trepçës”. Mungesa e anëtarit shkakton shumë telashe në informimin e Qeverisë dhe anëtarëve të Bordit për problemet në “Trepçë”, thotë Destan Kërleshi, nënkryetar i sindikatës së minatorëve të “trepçës”.

Bordi me mandat të përkohshëm i ndërmarrjes, u zgjodh në muajin shtator të vitit 2023.

Sipas sindikalistit Kërleshi, në kuadër të konkursit për anëtar të këtij bordi, Sindikata e Minatorëve të “Trepçës” kishte propozuar emrin për përfaqësues të punëtorëve në Ministrinë e Ekonomisë, mirëpo, sipas tij, ky propozim ishte neglizhuar.

Bordit aktual do t’i skadojë mandati pas dy muajve.

Ndërkohë, Qeveria tashmë ka hapur konkursin për kandidatët që synojnë pozitën e anëtarit të Bordit të ri, që do ketë mandat të plotë prej katër vjetëve.

“Ne ende për këtë konkurs nuk e kemi dërguar propozimin tonë. Po presim që këto ditë ta përsërisim apo edhe ta ndryshojmë vendimin për bordin, por shpresojmë që të na jepet mundësia që të respektohet ligji edhe nga ana e Qeverisë, e cila është dashur ta respektojë edhe në herën e kaluar, gjë që na ka neglizhuar dhe nuk ka dhënë të drejtë të përfaqësohemi në Bordin Mbikëqyrës”, deklaroi tutje ai.

Nga Ministria e Ekonomisë nuk kthyen përgjigje lidhur me mungesën e përfaqësuesit të punëtorëve në Bord.

Referuar Ligjit për “Trepçën”, në përbërjen e plotë e Bordit Mbikëqyrës duhet të jenë nëntë anëtarë.

Mes tjerash, kompetencat e Bordit Mbikëqyrës janë zgjedhja e anëtarëve të Bordit Menaxhues, aprovimi i planeve financiare dhe zhvillimore të njësive biznesore në kuadër të Trepçës, si dhe aprovimi i kontratave lidhur me partneritetin. /atvlive

Lajmet Bordi aktual i Trepçës akoma pa përfaqësues të punëtorëve >> Rahoveci INFO.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

<script async src="https://pagead2.googlesyndication.com/pagead/js/adsbygoogle.js?client=ca-pub-4893917327478903" crossorigin="anonymous"></script>