“Bombë” ryshfeti? Zbulohet hetimi sekret ndaj Trump, dyshohej se mori 10 mln dollarë nga Egjipti në ditët e fundit të fushatës presidenciale (II)

Washington Post ka zbuluar se një tërheqje prej 10 milionë dollarësh nxiti një hetim sekret me dyshimin nëse Donald Trump kishte marrë para nga Egjipti në ditët e fundit të fushatës së tij, në vitin 2016.

“Është një nder i madh të jem me presidentin El-Sisi një mik i imi prej një kohe të gjatë që para zgjedhjeve. Ne jemi takuar gjatë fushatës, pak para fushatës. Dhe ne do të kemi një rrugë të gjatë përpara. Në fakt nuk i kërkova të më mbështeste por mendoj se nëse do t’ia kërkoja, ai do ta bënte“, kështu do të deklaronte Donald Trump gjatë një takimi që zhvilloi me presidentin e Egjiptit, Abdel Fatah El-Sisi, gjatë një takimi të G7-ës në 26 gusht të vitit 2019, në Biarritz të Francës. Deklaratë e cila tregon se raporti mes tyre ishte më tepër se institucional si dy kryetarë shtetesh… Jo më kot, më herët Trump e kishte quajtur presidentin egjiptian si “diktatorin e tij të preferuar”.

Investigimi i Washington Post/ Vijon nga dje

Ekipi 10
Një zyrtar e quajtë si “goditje në nofull”. Në fillim të vitit 2017, zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë u informuan mbi raportet fillestare nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës së Sisi kishte kërkuar t’i dërgonte para Trumpit. Informacionet kishin ardhur pjesërisht nga një informator konfidencial i cili kishte dhënë edhe më parë informacione të dobishme. Të dhënat e mbledhura nga CIA në operacione të tjerë vërtetuan ato që informatori kishte deklaruar.

Zyrtarët e drejtësisë ia dërguan çështjen Muellerit i cili ishte emëruar në maj për të hetuar lidhjet e dyshuara midis fushatës së Trump dhe Rusisë, bazuar në teorinë se akuzat e Egjiptit shoqëroheshin me ndërhyrje të mundshme të huaja në zgjedhje. Ligji federal i zgjedhjeve ndalon shtetasit dhe qeveritë e huaja të japin kontribute ose donacione ose të ofrojnë ndonjë mbështetje tjetër financiare të drejtpërdrejtë ose të tërthortë për kandidatët për poste politike në SHBA.

Mueller i organizoi hetuesit e tij në “ekipe” me emra të koduar si Ekip Ri për Rusinë. Ekipi që hetonte Egjiptin u quajt Ekipi 10, pra i lidhur me 10 mln dollarë, thanë njerëz në dijeni të hetimeve. Nga fillimi i verës së vitit 2017, prokurorët dhe agjentët e FBI-së filluan të disponojnë të dhëna të ndjeshme, duke marrë në konsideratë informacionin e disponueshëm publikisht dhe duke ndjekur pista të tjera. Ata vunë re se më 19 shtator 2016, më pak se 2 muaj para ditës së zgjedhjeve, kandidati Donald Trump ishte takuar me Sisin në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. Rrëfimi i ekipit të fushatës për takimin me dyer të mbyllura nuk dha asnjë element tregues se Trump e kishte mbajtur udhëheqësin egjiptian në krah, siç kishin bërë zakonisht zyrtarët amerikanë që kur Sisi mori pushtetin në një grusht ushtarak 3 vjet më parë dhe “fshiu” presidentin e parë të zgjedhur në mënyrë demokratike në vend. Pas takimi, ekipi i fushatës së kandidatit për president tha se Trump i kishte thënë Sisit se SHBA do të kenë një “mik besnik” të Egjiptit nëse ai zgjidhej president dhe në Fox News, Trump e vlerësoi atë si një “djalë fantastik”.

Hetuesit e panë gjithashtu si potencialisht domethënëse që, pasi ai mori detyrën, Trump e përqafoi shpejt Sisin. Duke bërë kthesë në krahasim me politikën e SHBA nën drejtimin e Presidentit Barack Obama, Trump e ftoi liderin egjiptian që të ishte një nga mysafirët e tij të parë në Shtëpinë e Bardhë dhe u takua përsëri me të, mes liderëve të tjerë arabë, në udhëtimin e tij të parë jashtë vendit.

Ndërsa ekipi i Mueller filloi punën, hetuesit u përqendruan në atë se si në kohë kur kandidati Trump u takua me Sisin në vitin 2016, fushata e Trump kishte qenë e varfër në fonde. Ata mësuan përmes intervistave me këshilltarët më të afërt të kandidatit se i ishin lutur Trumpit që të firmoste një çek për një valë të fundit reklamash televizive. Trump refuzoi në mënyrë të përsëritur – deri në 28 nëntor, afërsisht 5 javë pas takimit me Sisin, kur ai njoftoi shtesën 10 milionë dollarë te fondet e fushatës. Në kontekstin e inteligjencës egjiptiane, hetuesit e konsideruan shumën një pikë të rëndësishme. Megjithëse shtesa e fondeve u regjistrua në raportet e financave të fushatës si një kontribut, kreu i financave të fushatës së Trump e kishte strukturuar transaksionin si një hua që po i shlyhej Trumpit për ta bindur atë të miratonte marrëveshjen, sipas shënimeve gjatë intervistimit nga FBI të një këshilltari kryesor të Trump.

Ekipi 10 filloi të kërkonte shenja të transferimit të supozuar të së njëjtës shumë, duke kërkuar për prova të parave teksa largoheshin nga Egjipti apo mbërrinin te Trump.

Periudha kohore ishte e shkurtër, ndryshe nga sa hetuesit donin, por Mueller këmbënguli që hetimi të ishte sa më i ngushtë mundësisht dhe të mos kalonte në financat e Trump pasi ai u bë president.

Të dhënat bankare nuk ofruan prova se Trump kishte marrë para nga Egjipti, thuhet në dokumentet që ka parë Washington Post.

Në analizimin e të dhënave, hetuesit u përqendruan në dy transaksione t ëpasurive të paluajtshme që i sollën Trumpit shuma të mëdha në vjeshtën e vitit 2016, është kjo ajo që tregojnë dokumentet. Një prej tyre ishte rifinancimi i një prone në Las Vegas, të cilën New York Times më vonë e quajti si një burim të mundshëm të injektimit të shumës prej 10 milionë dollarësh për fushatën e tij. Agjentët arritën në përfundimin se të dy elementët ishin të parëndësishëm për hetimin e rastit të Egjiptit.

Peter Carr, një zëdhënës i Departamentit të Drejtësisë nuk pranoi të komentojë në emër të zyrës së ish-këshilltarit special. Në korrik 2018, ekipi i Muellerit thirri Bankën Kombëtare të Egjiptit. Qeveria po kërkonte transaksione prej rreth 10 milionë dollarësh, bëjnë të ditur burime pranë hetimit. Kërkesa ndezi një betejë sekrete gjyqësore që do të konsumonte “Ekipin 10” për pjesën e mbetur të hetimit të Mueller. Avokatët që përfaqësonin bankën në luftën kundër thirrjes, nuk iu përgjigjën mesazheve që kërkonin koment. Banka nuk iu përgjigj pyetjeve të hollësishme. Washington Post arriti të bashkojë luftën gjyqësore duke përdorur të dhënat që u publikuan më vonë me redaktime, dokumente të tjera që mbeten sekrete dhe intervista me njerëz me njohuri për rastin.

Lufta ligjore e cila çoi në mbylljen misterioze të një pjese të gjykatës federale në DC në dhjetor të atij viti, e përfundoi rrugën drejt Gjykatës së Lartë ndërsa secila palë luftonte nëse banka e huaj në pronësi shtetërore mund të detyrohej të prodhonte prova për një hetim kriminal vendas amerikan. Në luftjen e saj përfundimtare drejtuar Gjykatës së Lartë për të dërguar çështjen, banka paralajmëroi se nëse do t’i duhej të dorëzonte të dhënat, ajo do të “bënte kërdi në politikën e jashtme amerikane – ndoshta duke tjetërsuar aleatët e SHBA, duke minuar përpjekjet diplomatike dhe duke kërkuar trajtim reciprok”.

Gjykata e Lartë e refuzoi kërkesën e bankës, por megjithatë banka nuk iu përgjigj. Nga mesi i janarit 2019, banka kishte filluar të grumbullonte gjoba për shpërfillje prej 50 mijë dollarë në ditë, të vendosura nga Beryl Hoëell, kryegjyqtari i Gjykatës së Qarkut të SHBA, për dështimin për të dorëzuar të dhënat.

Në fillim të shkurtit 2019, banka u tërhoq dhe dorëzoi pothuajse 1000 faqe, duke përfshirë versione të dokumenteve bankare në arabisht dhe anglisht.

Këto të dhëna bankare përmbanin një artikull veçanërisht tërheqës; një letër të shkurtër të shkruar me dorë, e datës 15 janar 2017, në të cilën një organizatë e quajtur Qendra e Kërkimeve dhe Studimeve i kërkoi bankës “me mirësi të tërheqë një shumë prej 9 998 000 dollarë amerikanë” nga dega e saj Heliopolis, e vendosur rreth shtatë milje nga aeroporti Ndërkombëtar i Kajros. Sipas të dhënave bankare, punonjësit i mblodhën paratë në të njëjtën ditë, tërësisht në kartëmonedha prej 100 dollarësh, i futën në dy çanta të mëdha dhe i mbajtën në zyrën e menaxherit të bankës derisa dy burra me qasjë në llogari dhe dy të tjerë erdhën dhe i morën paratë.

Ekipi i Mueller mblodhi prokurorët dhe agjentët për t’i informuar ata mbi dokumentet e marra rishtazi. Për njerëzit në dhomë, dokumentet e klasifikuara tregonin diçka dhe vërtonin vendimin e Mueller që ekipi duhet të hetonte.

“Kishte shumë tym, ishte e qartë që kishte kaq shumë tym – por duhet të kishte një zjarr”.

Mueller ndërkohë kishte lëvizur për të mbyllur operacionin e tij pasi pothuajse kishte përfunduar hetimin për ndërhyrjen e supozuar ruse. Në fillim të vitit 2019, ai kishte kërkuar nga prokuroritë e tjera federale që të merrnin përsipër hetimet e papërfunduara të ekipit të tij.

Zyra e avokatit amerikan në DC, e udhëhequr nga Liu, mori përsipër hetimin në Egjipt.

Liu vlerësohej mirë mes avokatëve në zyrën e saj. Ajo ishte një republikane që ishte ngritur në radhët e departamenteve të Drejtësisë dhe Thesarit gjatë një dekade, por më vonë u përplas me konservatorët pro-Trump, të cilët në dy raste do ta kundërshtonin me sukses nominimin e saj për poste më të larta në qeveri. Pothuajse dy vjet në këtë detyrë, Liu-s iu kërkua të mbikëqyrte një hetim që përfshinte presidentin që e kishte emëruar.

“Klient i rëndësishëm”

Zyra e Liut mori një qasje agresive në fillim. Prokurorët e saj bashkëpunuan gjatë dorëzimit me ekipin e Muellerit për t’i bërë presion Bankës Kombëtare të Egjiptit që të publikonte të dhënat – duke i kërkuar gjykatësisht të rriste gjobën për shpërfillje në 300 mijë dollarë në ditë.

Prokurorët e saj gjithashtu e shtynë bankën të zbulonte më shumë rreth Qendrës së Kërkimeve dhe Studimeve. Qendra praktikisht nuk kishte asnjë profil publik dhe autoritetet amerikane dyshuan se ishte një front për Shërbimin e Inteligjencës së Përgjithshme, ekuivalenti i CIA-s në Egjipt.

Prokurorët argumentuan në gjykatë se banka shtetërore egjiptiane kishte fshehur detaje rreth tërheqjes. Ata thanë se banka nuk kishte dorëzuar asnjë email të vetëm në lidhje me transaksionin gjigant të së njëjtës ditë dhe se mungesa e një komunikimi të tillë të brendshëm ishte e paimagjinueshme.

“Ngrihen pikëpyetje sa i takon besueshmërisë që Banka mbante në gjendje cash një rezervë të tillë dollarësh amerikanë, e lëre më që ishte në gjendje t’i mblidhte të gjitha në më pak se 24 orë”, thuhej në një dosje të 21 marsit 2019, ë nënshkruar nga Liu.

Banka argumentoi se nuk kishte asgjë tjetër për të treguar. “Qeveria po rreh një kalë të ngordhur pa pushim”, shkruan avokatët e bankës, me bazë në SHBA.

Të dyja palët debatuan gjithashtu nëse adresa e qendrës ishte e rreme. Banka kishte raportuar se kishte kryer një vizitë në terren të klientit të saj në Kajro dhe kishte gjetur 55 persona që punonin në adresë. Qeveria amerikane prodhoi fotografi në atë adresë që tregonin një bllok apartamentesh.

Në argumentet e radhës në gjykatës, banka më 4 pril 2019, paraqiti një deklaratë nga një menaxher banke që konfirmonte dyshimin e hetuesve se Qendra e Kërkimeve dhe Studimeve kishte një “marrëdhënie me Agjencinë e Përgjithshme të Inteligjencës Egjiptiane”. Më tej, shkroi ai, agjencia e inteligjencës ishte “një tjetër klient i rëndësishëm i degës Heliopolis”.

Sipas njerëzve me njohur për hetimin e Trump, hetuesit besonin se vetëm Sisi ose një operativ qeveritar që vepron sipas urdhrave të tij mund të kishte organizuar tërheqjen e parave prej 10 milionë dollarësh. Ata gjithashtu panë shenja dalluese të një operacioni ndërkombëtar të pastrimit të parave në mënyrën se si fondet hynë në dhe përmes llogarive të Qendrës së Kërkimeve dhe Studimeve përpara tërheqjes së parave, tregues të një krimi të mundshëm që mund ose nuk mund të ketë qenë i lidhur me një përpjekje për të ndihmuar Trumpin. Hetuesit u përpoqën të lidhnin pikat përpara tërheqjes dramatike që përfshinte çantat me para. Ata vunë re transaksionet e veçanta në Kinë dhe Egjipt gjatë një periudhe 14 mujore ku sugjerohej një rrugë e mundshme për 10 mln dollarët.

Qendra e Kërkimeve dhe Studimeve hapi një llogari në degën e bankës Heliopolis në nëntor 2015, treguan të dhënat e bankës. Në gusht 2016, qendra hapi një llogari të dytë, këtë herë në degën e bankës në Shangai. Pesë ditë pas kësaj, një kompani që hetuesit besonin se ishte e lidhur me një oligark egjiptian, nisi një transferim prej 10 mln dollarësh në llogarinë e qendrës në Shangai.

Transferimi u pranua dhe më pas u depozitua në Shangai në dhjetor. E njëjta shumë u transferua nga ajo llogari në llogarinë e qendrës në degën Heliopolis pak para tërheqjes së parave atje më 15 janar 2017.

Tre ditë më vonë, qendra e mbylli llogarinë e saj në Shangai. Brenda 90 ditësh, llogaria e saj Heliopolis u mbyll gjithashtu.

Nuk mund të thuhet me thuhet me saktësi nëse Qendra e Kërkimeve dhe Studimeve ekziston ende. Një numër regjistrimi i koorporatës i listuar në një regjistër bankar të vitit 2019 nuk shfaqet në kërkimet në faqen e internetit të qeverisë ose në një bazë të dhënash tregtare të bizneseve egjiptiane. Për autoritetet amerikane, në pranverën e vitit 2019 humbi gjurma e parave.

Një raund i ri hapash hetimorë do të ishte i nevojshëm për të parë nëse paratë përfunduan ndonjëherë në regjistrat e llogarive të Trump.

Çështja nuk u rihap.

Drejtuesit dhe prokurorët e Departamentit të Drejtësisë në administratën e Bidenit në zyrën e DC-së u konsumuan menjëherë me rastet nga sulmi i 6 janarit 2021 në Kapitol, hetimi më i madh në historinë e departamentit.

Garland, anëtarët e lartë të ekipit të tij dhe avokati i ri amerikan i Bidenit në DC nuk u informuan kurrë për hetimin e Egjiptit në vitin e tyre të parë në detyrë, tha një ish dhe një zyrtar aktual i qeverisë për Washington Post.

Departamenti i Drejtësisë nuk e lejoi Garland të ishte i disponueshëm për koment.

Më 15 janar 2022, pesë vjet pasi paratë u larguan nga banka në Kajro, skadoi afati për ngritjen e akuzave sipas statutit federal të kufizimeve për kontributet e paligjshme të fushatës.

Lexo edhe:

“Bombë” ryshfeti? Zbulohet hetimi sekret ndaj Trump, dyshohej se mori 10 mln dollarë nga Egjipti në ditët e fundit të fushatës presidenciale (I)

Lajmet “Bombë” ryshfeti? Zbulohet hetimi sekret ndaj Trump, dyshohej se mori 10 mln dollarë nga Egjipti në ditët e fundit të fushatës presidenciale (II) >> Rahoveci INFO.

Ballina
RadioDrini
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

<script async src="https://pagead2.googlesyndication.com/pagead/js/adsbygoogle.js?client=ca-pub-4893917327478903" crossorigin="anonymous"></script>