​Blondel beson se Kosova do të arrijë suksese në garat paralimpike ndërkombëtare

Sporti paralimpik në Kosovë po hyn në një fazë të re zhvillimi dhe ndërkombëtarizimi, duke marrë mbështetje të fuqishme si në nivel vendor ashtu edhe ndërkombëtar.

Pjesëmarrja e parë e sportistëve kosovarë në ngjarjet paralimpike është vlerësuar si një hap historik dhe premtues për të ardhmen.

Presidenti i Komitetit Paralimpik Evropian, Julien Blondel, dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore të Kosovës kanë theksuar rëndësinë e vazhdimit të investimeve në këtë fushë, duke synuar përmirësimin e infrastrukturës, rritjen e përfshirjes dhe ngritjen e standardeve për paraatletët, raporton KosovaPress.

Përgatitjet për Lojërat Mesdhetare 2030 dhe krijimi i fshatit olimpik janë shembuj konkretë të përkushtimit të Kosovës për të ofruar kushte të denja për sportistët me aftësi të kufizuara, me synim që në të ardhmen jo vetëm të jenë pjesëmarrës, por edhe fitues të medaljeve në arenën ndërkombëtare.

Gjatë vizitës së tij dy ditore në Kosovë, Blondel u shpreh i bindur se nga ajo që ka parë, Kosova do të jetë vend që do të arrijë shumë suksese në sportin paralimpik duke marrë pjesë në kampionatet evropiane e botërore viteve te ardshme, derisa ka siguruar se mbështetja e tij për Kosovën nuk do të mungoj.

“E di, jam i bindur se pjesëmarrja e parë e delegacionit, e atletëve e sportistëve nga Kosova ka qenë vetëm një fillim i diçkaje që vjen më e madhe dhe absolutisht nuk është fundi. Është vetëm një fillim i gjerave më të mëdha që do të vijnë në të ardhmen dhe shpresoj që të shoh atletë dhe sportistë nga më shumë sporte duke marrë pjesë në nivelet më të larta ndërkombëtare nga Kosova…Unë do të vazhdoj të ofroj mbështetjen time nga ana e Komitetit Evropian Paralimpik në zhvillimin e parasporteve në shtetin tuaj dhe mund të them se do të shihemi jo vetëm në Los Angelos 2028, por do të shihemi në të gjitha Lojërat Paralimpike të cilat vijnë pas kësaj ngjarje”, tha Blondel.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tha se tashmë po bëhen përgatitjet e fundit për nisjen e punimeve në ndërtimin e shumë fushave dhe arenave sportive që do të sigurojnë kushte shumë më të mira.

“Biseduam për shumë gjëra, normalisht infrastruktura si një nga gjërat më të rëndësishme për të krijuar për atletët tanë, për paraatletët për Kosovën është një çështje me rëndësi shumë të madhe duke pasur parasysh që tashmë jemi nikoqir të Lojërave Mesdhetare 2030, ku edhe ashtu jemi në një energji shtesë të krijimit të infrastrukturës për të gjithë atletët e tani me fokus edhe tek paraatletët, ku ne vetëm kemi krijuar masterplanin e fshatit olimpik dhe kemi buxhetuar për shumë hapësira, mirëpo edhe sot u zotuam me presidenten që lokacionet të cilat edhe do t’i prezantoni udhëtimin tuaj në Dubai do t’i keni të gatashme, pra do të keni opcione të lokacioneve ku edhe do të krijojmë fusha dhe arena të përshtatshme për paraatletët tanë të mrekullueshëm që në të ardhmen e afër jo vetëm të marrim pjesë por edhe të kemi medlaje të arta”, theksoi Rama.

Zëvendëskryeministrja në detyrë Emilia Rexhepi ka falënderuar kreun e Komitetit Paralimpik për ndihmën e ofruar për sportin e Kosovës, duke thënë se niveli qendror së bashku me atë lokal të Prishtinës po përpiqen të krijojnë kushte sa më të mira të infrastrukturës për qytetarët dhe zhvillimin e sportit.

“Kosova është një vend prej të cilit mundohemi të bëjmë një vend për të gjithë qytetarët, pa dallime nacionale e religjioze… Ne besojmë te sportistët tanë. Ne jemi këtu për të ndihmuar nga niveli qendror aq sa mundemi. Përparimi Rama këtë e bën mirë në nivel lokal… Askush nuk ka të drejtë t’ia shkatërrojë jetën në bazë të kufizimeve, dhe nuk ka të drejtë të shuajë talentin dikujt, pasi secili prej nesh ka talente, dhe ne institucionet duhet të krijojmë kushte që personat ta dëshmojnë këtë. Në këtë frymë duhet ende të punojmë përmes sistemit arsimor, dhe sistemit kulturor-arsimor-sportiv, por edhe në kuadër të familjeve. Nëse bashkojmë të gjitha forcat, rezultatet do të jenë më të madh”, tha ajo.

Përgjatë kësaj vizite, Blondel ka takuar edhe ministrin në detyrë të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku. Gjatë takimit u diskutua për zhvillimin e sportit paralimpik në Kosovë dhe rëndësinë që ka përfshirja e personave me aftësi të kufizuara në jetën sportive dhe shoqërore.

Në vitet e fundit, sporti paralimpik në Kosovë ka shënuar progres, me rritje të pjesëmarrjes, përkrahjes institucionale dhe suksese ndërkombëtare. Ky zhvillim është rezultat i përkushtimit të sportistëve, trajnerëve dhe vetë organizatave paralimpike që çdo ditë tejkalojnë sfida dhe vendosin standarde të reja.

U theksua po ashtu rëndësia e organizimit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” dhe mundësitë që hap ky organizim për promovimin dhe fuqizimin e sportit në vendin tonë.

Ballina
RadioDrini
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Test

Please consider supporting us by disabling your ad blocker