Bllokohen rrugët në Shqipëri gjatë protestës së opozitës
Deputetë dhe mbështetës të partive opozitare në Shqipëri, Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë, kanë protestuar të martën, duke bllokuar gjashtë prej kryqëzimeve kryesore në disa qytete të vendit për gati tri orë.
Një ndër kryqëzimet ku u bllokua qarkullimi i automjeteve ishte dhe ai ku është arrestuar ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, më 21 tetor.
Përmes aksionit të mosbindjes civile, të shpallur nga opozita para një muaji, kërkohet që një Qeveri teknike të çojë vendin në zgjedhje, por edhe lirimi i Sali Berishës, i cili mbahet në arrest shtëpiak nën dyshimet për korrupsion.
Bllokimi i kryqëzimit kryesor në hyrje të Tiranës u shoqërua edhe me përplasje fizike, pasi deputetë demokratë dhe protestues shtynë zyrtarë të policisë, me pretendimin se po provokoheshin prej tyre, për shkak të pranisë së lartë të zyrtarëve policorë.
Policia u kujtoi protestuesve se bllokimi i rrugëve përbën vepër penale. Policia i orientoi drejtuesit e automjeteve të lëviznin në rrugë alternative.
Protestuesit u vunë flakën disa gomave të makinave në Tiranë, Elbasan, Durrës, Milot dhe Fier. Në secilin prej gjashtë kryqëzimeve ishin të pranishëm deputetë të Partisë Demokratike.