Bislimi takohet me Jençën, e njofton për avionët luftarakë serb përreth kufirit
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur në takim ndihmëssekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Evropën, Azinë Qendrore dhe Amerikën, Miroslav Jença.
Në njoftimin për medie thuhet se ndihmëssekretari Jença po zhvillon një tur ballkanik, ndalesë e radhës e së cilës është vendi ynë, ku do të qëndrojë në një vizitë dyditore.
“Përgjatë takimit, zëvendëskryeministri Bislimi e njoftoi atë me situatën në vend e rajon, objektivat e Qeverisë dhe të arriturat në tri vitet e fundit. Ai theksoi se vendi po avancon e zhvillohet me ritëm të shpejtë, pavarësisht barrierave me të cilat po përballemi. Sipas të dhënave më të fundit dhe nga ASK-ja, tremujori i parë i këtij viti ka shënuar rritje ekonomike në nivelin 5.62 %. Edhe projeksionet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar për vitet e ardhshme, si dhe rankimet ndërkombëtare të Kosovës në shumë fusha, qëndrojnë si dëshmi e progresit të vendit tonë”, theksohet në njoftimin e qeverisë.
“Zëvendëskryeministri Bislimi shtoi se rritja e BPV-së, rritja e punësimit, sundimi i ligjit, integrimi në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, janë synime qenësore për Qeverinë”, thuhet në njoftim.
Ndër të tjera, në takimin e tyre është diskutuar edhe mbi procesin e dialogut. Zëvendëskryeministri e ka njoftuar ndihmëssekretarin Jença për zhvillimet e fundit, duke shprehur konstruktivitetin dhe angazhimin e vazhdueshëm të palës së Kosovës në këtë proces, i cili, fatkeqësisht, është përballur me destruktivitetin dhe mungesën e vullnetit e gatishmërisë për hapa më tutje dhe zbatim të marrëveshjeve nga pala tjetër.
“Mbi qasjen destruktive dhe kërcënimin e vazhdueshëm që Serbia paraqet për Kosovën, zëvendëskryeministri rikujtoi se fqinji ynë verior ka 48 baza të përparme operacionale përreth kufirit me Kosovën, në vazhdimësi mban ushtrime e stërvitje të mëdha ushtarake pak kilometra larg kufirit me shtetin tonë dhe fluturon avionët luftarakë MIG 29 përreth kufirit”, theksohet në njoftim.
Në përfundim të takimit, zëvendëskryeministri e falënderoi Jença për bisedën e zhvilluar, si dhe i dëshiroi qëndrim të këndshëm në Kosovë.
Lajmet Bislimi takohet me Jençën, e njofton për avionët luftarakë serb përreth kufirit >> Rahoveci INFO.