Beteja ligjore 12-vjeçare/ Çfarë dihet për marrëveshjen e Julian Assange me SHBA dhe pranimi i fajësisë

Themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange u lirua nga burgu në Britaninë e Madhe dhe u kthye në Australi. Assange la qelinë të hënën, ndërsa u publikuan edhe pamjet e para teksa ai hipte në një avion me destinacion vendin e tij. Beteja e tij 12-vjeçare kundër ekstradimit në SHBA përfundoi me një marrëveshje pranimi fajësie.

Njeriu më i diskutueshëm ka kaluar 5 vitet e fundit në një burg të sigurisë së lartë në Mbretërinë e Bashkuar dhe gati 7 vjet në ambasadën e Ekuadorit në Londër, duke u përpjekur të shmangë arrestimin që mund ta çonte në burgim të përjetshëm.

Të hënën, Assage, 52 vjeç, pranoi të deklarohej fajtor për akuzën e krimit në lidhje me rolin e tij të dyshuar në një nga shkeljet më të mëdha ndaj qeverisë amerikane në publikimin e materialeve të klasifikuara në portalin e tij. Assange publikoi gjysmë milionë dokumente ushtarake sekrete në lidhjet me luftërat e SHBA në Irak dhe Afganistan.

Marrëveshja për pranimin e fajësisë vjen pas një sage ligjore, duke i lejuar kështu Assange të shmangë burgun në SHBA dhe të kthehet në Australi si njeri i lirë – por jo derisa të paraqitet në gjykatë mijëra km larg SHBA-së, në Paqësor.

Lexo edhe:

Julian Assange lirohet pasi pranoi fajësinë mbi akuzat për spiunazh

Kush është Julian Assange?

Julian Assange mori avionin nga aeroporti i Stansted i Londrës të hënën pasi u lirua me kusht nga burgu. Njoftimin e bëri WikiLeaks të martën. “Julian Assange është i lirë”, shkruante WikiLeaks. “Ai u largua nga burgu i sigurisë së lartë në Belmarsh mëngjesin e 24 qershorit, pasi qëndroi aty për, ekzaktësisht, 1901 ditë izolim”.

Me të në avion udhëton edhe Komisioneri i Lartë i Australisë në Mbretërinë e Bashkuar, Stephen Smith, njoftoi kryeministri australian, Anthony Albanese.

Sipas kushteve të marrëveshjes, prokurorët e Departamentit të Drejtësisë të SHBA do të kërkojnë një dënim prej 62 muajsh, që është e barabartë me kohën që Assange qëndroi në Mbretërinë e Bashkuar ku luftoi kundër ekstradimit.

Marrëveshja për pranimin e fajësisë parashikon shlyerjen e dënimit me periudhën që ai qëndroi në qeli dhe kjo lejoi që ai të kthehej menjëherë në Australi. Megjithatë, marrëveshja duhet të miratohet nga një gjykatës federal.

Për shkak se Assange refuzoi të shkelte në SHBA për të pranuar fajësinë, një gjykatës do të zhvillojë seancën të mërkurën në Saipan, territor amerikan në paqësor, në Ishujt e Marianës së Veriut.

Lexo edhe:

VIDEO/ Qëndroi 2 mijë ditë në qeli, pamjet kur Julian Assange lirohet nga burgu – largohet me avion nga Britania

Zinxhiri i ishujve të paqësorit është një territor amerikan prej 6 mijë km (3700 milje) në perëndim të Havait dhe një gjykatë federale e SHBA është e vendosur në Saipan, kryeqyteti i ishujve. Ishujt janë gjithashtu afër Australisë, ku Assange është shtetas dhe pritet të kthehet pas seancës gjyqësore, thanë prokurorët.

Çfarë bëri Assange?

Julian Assange kërkohej nga autoritetet amerikane për akuzat e spiunazhit lidhur me publikimin e qindra mijëra dokumenteve të ndjeshme ushtarake dhe qeveritare nga WikiLeaks, të ofruara nga ish-analistja e inteligjencës së Ushtrisë, Chelsea Manning në 2010 dhe 2011. SHBA akuzuan Assange se kishte rrezikuar jetën e burimeve konfidenciale duke publikuar kabllogramet dhe prej vitesh kërkonte ekstradimin e tij.

Ai u përball me 18 akuza për rolin e tij të dyshuar në shkelje ligjore dhe do të dënohej me maksimumin 175 vjet burg. Autoritetet britanike kishin kërkuar siguri nga SHBA se ai nuk do të merrte dënimin me vdekje.

Nga Townsville, Queenslandi Lindor, Assange filloi WikiLeaks në vitin 2006 si një media në internet ku do të publikoheshin materiale që mbërrinin në rrugë anonime, duke përfshirë të dhëna nga manuale operative të ushtrisë amerikane për kampin e saj të paraburgimit në Guantanamo.

Në vitin 2010, WikiLeaks u katapultua në vëmendjen globale kur publikoi një video që pretendonte se tregonte një sulm vdekjeprurës me helikopter amerikan në Irak, në vitin 2007. Menjëherë pas kësaj, WikiLeaks publikoi mijëra dokumente të klasifikuara ushtarake amerikane në lidhje me luftërat në Irak e Afganistan si dhe një numër i madh kabllogramesh diplomatike. Assage i cilësoi dokumentetet si “provë bindëse të krimeve të luftës” të kryera nga koalicioni i udhëhequr nga SHBA dhe forcat e qeverisë së Irakut.

“Lufta” kundër ekstradimit
Assange kishte argumentuar prej kohës se çështja kundër tij ishte e motivuar politikisht, si ai nuk do të përballej me një gjyq të drejtë dhe se dorëzimi i tij do të shkelte Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. OJF dhe organizma ndërkombëtare që mbrojnë fjalën e lirë dënuan përpjekjet për ekstradim, duke thënë se kjo do të kishte një efekt rrëqethës mbi lirinë e shtypit. Në gusht 2010, Assange u akuzua për sulm seksual në Suedi dhe u përball me një urdhër arresti ndërkombëtar. Ai u mohoi akuzat duke i quajtur fushatë shpifje dhe refuzoi të shkonte në Stockholm për t’u marrë në pyetje

Ai iu dorëzua autoriteteve britanike, por ndërsa u lirua me kusht në vitin 2012 dhe teksa apeloi ekstradimin në Suedi, Assange hyri në Ambasadën e Ekuadorit dhe kërkoi azil politik. Gjatë kohës së qëndrimit të tij në ambasadë, WikiLeaks publikoi mijëra emaile të hakuara dhe të vjedhura nga llogaria private e menaxherit të fushatës së Hillary Clinton, John Podesta, në prag të zgjedhjeve në SHBA. Por me kalimin e kohës, marrëdhënia e tij me ambasadën ekuadoriane u përkeqësua dhe presidenti i Ekuadorit u vu nën presionin e SHBA-së për ta dëbuar atë nga selia diplomatike.

Në vitin 2019, Assange doli nga ambasada dhe u arrestua nga Policia Metropolitane e Londrës pas urdhrit të ekstradimit nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë dhe i kaloi 5 vitet ardhshme duke jetuar i izoluar në një qeli 3 me 2 metra në burgun Belmarsh.

Burgu ka kapacitet për më shumë se 900 të burgosur dhe është i njohur për strehimin aty dikur të të dyshuarve famëkeq për vepra terroriste si kleriku radikal egjiptian Abu Hamza al-Mastri, në një qeli të burgut të sigurisë së lartë.

Mbështetje dhe presion për lirimin e Assange
Kohët e fundit ka patur një rritje të trysnisë që çështja e Assange të pushohet. Në maj, Gjykata e Lartë e Londrës vendosi se Assange kishte të drejtë të apelonte në një proces përfundimtar kundër ekstradimit në SHBA dhe presidenti Joe Biden kishte aluduar për një marrëveshje të mundshme e propozuar nga qeveria australiane për ta kthyer atë (Assange) në Australi. OKB dhe Amnesty International insistuan se Assange nuk duhej ekstraduar në SHBA pasi rritej rreziku i abuzimit dhe keqtrajtimeve.

Pas lirimit të hënënë, gruaja e Assange, Stella Assange postoi në rrjetet sociale: “Julian është i lirë”. “Fjalët nuk mund të shprehin mirënjohjen tonë të pamatë për ju, Po, Ju të gjithë jeni mobilizuar për vite e vite për ta realizuar këtë”, shkroi ajo. Nëna e Assange, Christine Assange, tha se ajo është “mirënjohëse që sprova e djalit tim më në fund po i vjen fundi”, ishte deklarata e saj për CNN.

Ndërkohë, duke folur në Parlament, kryeministri australian Anthony Albanese tha, “pavarësisht nga pikëpamjet që njerëzit kanë për aktivitetet e zotit Assange, çështja është zvarritur për një kohë të gjatë. Nuk ka asgjë për të fituar nga burgimi i tij dhe ne duam që ai të kthehet në Australi”.

Edhe ish-presidenti ekuadorian Lenin Moreno tha për CNN se është i kënaqur që themeluesi i WikiLeaks nuk do t’i dorëzohet SHBA-së. Moreno refuzoi azilin e Assange në prill 2019 pasi u strehua në ambasadën e vendit të tij në Londër.

Mes atyre që festuan lirimin e Assange ishin presidentët e Kolumbisë dhe Meksikës. “Burgimi dhe tortura e përjetshme e Assange ishte një sulm ndaj lirisë së shtypit në shkallë globale”, tha presidenti kolumbian, Gustavo Petro./ CNN

Lajmet Beteja ligjore 12-vjeçare/ Çfarë dihet për marrëveshjen e Julian Assange me SHBA dhe pranimi i fajësisë >> Rahoveci INFO.

Ballina
RadioDrini
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

<script async src="https://pagead2.googlesyndication.com/pagead/js/adsbygoogle.js?client=ca-pub-4893917327478903" crossorigin="anonymous"></script>