Berisha bën thirrje për kryengritje: Rama kaloi çdo vijë të kuqe, do i përgjigjemi!

Ish-kryeministri Sali Berisha shpjegoi sërish arsyet pse nuk paraqitet në GJKKO për t’u njohur me masën e sigurisë. Gjatë konferencës për mediat, Berisha paralajmëroi protesta të cilat sipas tij nuk do të ndalen.

“Edi Rama në një degradim total moral, psikik dhe të gjithanshëm, po përjeton krizën më të thellë të keqqeverisjes së tij. I ngërthyer nga seriali i veprave penale të kryera në drejtimin e organizatës kriminale që ka ndërtuar, i ngërthyer nga zbulimet të telefonave të kriptuar që ka përdorur, që ka menduar se çdo bisedë e tij është e sigurt.

Vetëm bisedat me McGonigalin janë tërkuzë saqë kalojnë nga njëra anë në anën tjetër të Atlantikut. Por nuk janë vetëm këto biseda, janë bisedat me eksponentët më të rrezikshëm të krimit dhe bosët e trafiqeve.

Nga 8 mijë SKY ECC, Encrochat dhe nja dy-tre të tjerë, telefona të kriptuar në Shqipëri, përqendrimi më i lartë ka qenë në ndërtesën e Këshillit të Ministrave. Edi Rama, i damkosur në mënyrë përfundimtare si hajduti më i madh i pasurive publike në historinë e këtij vendi, si njeriu që ndërtoi sarajet e tij duke pasur të deklaruara gjithsej 400 mijë lekë dhe 38 mijë euro.

Që deklaron se bleu truallin me 2 dollarë, që thotë se e ndërtoi me paratë e emigracionit, pa pasur një qindarkë të deklaruar gjëkundi. Një nga ndërtimet më të kushtueshme, me një oborr, me një park 5 mijë metrash, një njeri që ka firmosur në çdo fazë procesin e vjedhjes më të madhe të shekullit. Një njeri që kur filloi karrierën si kryeministër, u akuzua në raportin e OSBE se kishte të fshehura në offshore 200 milionë euro dhe nuk e çeli gojën dot të përgënjeshtronte apo të hidhte në gjyq. Edi Rama përjeton fundin e tij të pashmangshëm. Pas rrënimit përfundimtar të votës, atë e pret përgjigjja e merituar e 600 mijë votuesve idealistë, që besojnë të vota dhe vlerat e demokracisë.

Në këtë kontekst, e damkosi në mënyrë përfundimtare edhe raporti i fundit i ODIHR-it. Të gjitha këto janë motivet më të fuqishme për çdo shqiptar të vërtetë të shndërrojmë këtë vjeshtë, në vjeshtën e triumfit të mbarë shqiptarëve mbi këtë regjim antishqiptar, diktatorial, çnjerëzor, kleptokratik. Ndaj dhe unë jam sot këtu, se e di që për të shprehur këto, për të gjithë shqiptarët, por prapë një problem, problemin e gjykatës. Garantoj çdo qytetar se unë po mbroj qytetarët, duke mbrojtur Kushtetutën. Përndryshe unë 10, 100 herë shkoj pa asnjë lloj, bile me një projekt të fuqishëm për të zbardhur të vërtetat aty ku nxihen, pavarësisht është gjykatë, është prokurori, është parlament, është shesh.

Ndaj dhe e ftoj këtë burracak, këtë frikacak të ketë kurajo, të vijë të votojmë amendamentin që u heq deputetëve çdo mbrojtje që i dallon ata nga qytetari i thjeshtë në Kushtetutë në raport me sistemin e drejtësisë. Të vetmen votë, që unë e garantoj se unë e di që ata mund të mos e votojnë një pjesë e tyre, por deputetët e opozitës do e votojnë që nesër në parlamentin e Shqipërisë. Nuk autorizohet një mercenare që ka humbur çdo gjë njerëzore, të shkruajë Kushtetutën në tavolinën e saj. Kushtetuta nuk mund të shkruhet në tavolinën e gjykatësit, as të prokurorit.

Unë po mbroj vetëm qytetarin dhe Kushtetutën që është pa diskutim, ombrella e tyre e vetme. Por për të provuar nëse kam unë ndonjë ndrojtje apo kufizim për t’u marrë në pyetje në prokurori apo gjykatë, unë nuk kam asnjë vetëkufizim. Por nuk është çështja për pyetje, por aty është një vendim që kufizon lirinë e deputetit. Të cilin unë në parim e kam pranuar. Por Edi Rama e hodhi poshtë. Është Edi Rama që në vitin 2012 e hodhi poshtë në parlament. Tani i them, bëhu burrë në ta mban dhe hajde të votojmë dhe mos përdor mercenarë që marrin përsipër të shkruajnë Kushtetutën në tavolinat e shtetit.

Së dyti, e garantoj se me asnjë masë, me asgjë mbi tokë, vrullin e kësaj beteje pa kthim, nuk do mund ta ndalojë”, u shpreh Berisha.

Berisha shtoi se në grahmat e fundit, Rama po përpiqet të shpëtojë regjimin e tij duke përdorur kriminelë me uniformë dhe toga të zeza.

“Edi Rama ka krijuar për familjarët e vet, pasuri të paligjshme përrallore. Olsi i tij, ortak i Amant Josifit, i cili u ka vjedhur në bashkëpunim, qytetarëve europianë nga 1 miliard gjer në 2.8 miliardë euro. I vëllai i tij u shndërrua në përfaqësuesin kryesor të Shqipërisë në raport me biznesin kinez. I vëllai i tij është de facto njeriu numër një i uzinës së drogës në Xibrakë. Edi Rama, në shkelje të plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, anëtarit të familjes së ngushtë, i ka hapur mundësitë për të përdorur pushtetin e tij dhe për të përfituar dhjetëra tendera direkt ose si nënkontraktore.

Disa burime më thonë, prej 7 vitesh, në kundërshtim flagrant me çdo ligj, zonjusha nuk ka deklaruar asnjëherë në ILDKP pasurinë. Edi Rama, i mirënjohur tashmë si Pashiqi shqiptar, është shndërruar në figurën më të urryer pas Enver Hoxhës në histori për çdo patriot shqiptar. Ai po përpiqet, në grahmat e fundit, të shpëtojë regjimin e tij me ritorsione, me dacibao, duke përdorur kriminelë me uniformë dhe toga të zeza, që nuk pyesin për Kushtetutë, për ligje, për procedura. Por zbatojnë si mercenarë porositë e tij.

Përfaqësuesit e mi shkojnë në gjykatë për një qëllim, për të trreguar se unë ndaj gjykatës, ndaj institucionit, për arsye të formimit tim, tregoj respektin tim. Se unë mund të mos i çoja fare, jo, ata kanë shkuar. Ata kanë paraqitur një kërkesë, largimin e kësaj gjykatëseje. Por a e patë kë zgjodhi ajo? Po ajo ishte fenomenale? Sikur ta porosisja unë. Atë Kmerin e Kuq. Ajo ishte gjëja më e bukur. Ajo e përzgjodhi. Edi Rama ia çoi. Edi Rama ia nisi, do u them edhe personin që ua nisi. Edi Rama ia çoi, ku e njihte ajo. Pra, kanë shkuar për këtë qëllim. I kanë kërkuar të largohet se ka shkelur Kushtetutën. Nëse gjykatësja do thoshte se e thërras Berishën për efekte të hetimit të gjykatës, do të shkoja, por ajo thërret për të komunikuar një masë, vendim që e merr duke shkruar vetë Kushtetutën. Nuk ka histori më të turpshme se kjo.

Ndaj ata i kërkuan këtë gjë. nuk kam komunikuar se çfarë u ka thënë. Por ajo çdo gjë e komunikon me Ramën, me Encrochat apo me çfarë mjeti, nuk mund të them tani, por ajo komunikon me Ramën. Dhe prapë do shkojnë kur të thirren. Unë rri në kontakt me organet, pavarësisht se Edi Rama mban këtë qëndrim“, tha Berisha.

Në vijim, ish-kryeministri theksoi se beteja në parlament do të shoqërohet nga një mbështetje e fuqishme popullore, ndërsa sqaroi se këto protesta nuk do ndalen më nga asnjë masë.

“Asgjë nuk ndryshon kjo nga strategjia e mëparshme. Ne kemi nisur betejën në parlament, por e kemi nisur me vendosmërinë më të fortë. Kur kemi nisur betejën në parlament, ne natyrisht kemi vetëdije se çfarë përfaqëson grupi parlamentar. Nuk ka dyshim se ajo do shoqërohet nga një mbështetje e fuqishme popullore. Por një gjë do jetë, këto protesta nuk do ndalen më nga asnjë masë që mund të marrë Edi Rama. Të bëjë çfarë të dojë, ne e morëm këtë vendim, pasi ai dëshmoi se kundër demokracisë, është i aftë të bëjë gjithçka.

Edhe me ato vota të cunguara që morëm, të njerëzve idealistë që nuk u trembën dhe nuk i shitën, Edi Rama i zhvlerësoi totalisht deputetët në parlament. Ai kaloi në ekstrem, ai kaloi çdo vijë të kuqe. Ne do i përgjigjemi, do i përgjigjemi, do i përgjigjemi. Unë ua kam thënë edhe para se të ndodhte kjo. Ai kur e pa se nuk ka më kontroll mbi opozitën e vërtetë, përveç Bravave të tij, nxori historinë më të turpshme të këtij shekulli. Një dokument me 200 faqe, ku nuk fakton asnjë akuzë me asnjë provë.

Ndaj dhe detyrohet, duke mos pasur asnjë provë, asnjë akuzë, detyrohet të përfundojë me masa sigurie për persona nën hetim. Pas tre vitesh hetimi. Tre hetime që heton. Nuk ka mbetur dokument pa parë, pa shqyrtuar. Kanë çdo dokument. I kanë fshehur, siç kam thënë. Kanë fshehur me qindra dokumente për të manipuluar. Por nuk ka gjetur. Ka dërguar 22 ish-punonjës të aministratës për arrest me Prokurorinë Felaj në gjykatë. Por gjykatësit kanë refuzuar Prokurorinë Felaj. I kanë thënë se nuk kanë asnjë shkelje ligjore. Kjo është e vërteta! Shikoni çfarë skenari? Ta bëjnë të madhe që njerëzit të thonë oo me të vërtetë këtu ka ndodhur diçka. Asgjë.

Kjo piramidë që ka ngritur kjo dacibao çmontohet rresht për rresht. Ai është procesi më i përsosur që ka ndodhur në rrafshin ligjor. Ky proces ka vetëm një shkelje ligjore dhe atë e ka bërë Edi Rama. Edi Rama ka ndryshuar destinacionin që në vitin 2006. Më datën 6 qershor. Kështu që me këtë vetëm sa tregoi se çfarë përfaqëson”, tha Berisha, duke shtuar se protesta ka filluar.

Do konsultohemi me Këshillin Kombëtar, por zakonisht ky është atribut i kryesisë së partisë. Protesta ka filluar. Protesta ka filluar në parlament dhe të jeni të bindur se do jetë shumë serioze. Javë pas jave”, tha ai.

Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve nëse do japë dorëheqje nëse vërtetohen akuzat, Berisha sqaroi sërish.

Së pari, nuk kam asnjë njoftim dhe unë duhet të njoftohesha sipas procedurës. Mesa di unë, duhet të njoftohesha, por kaq familjar nuk jam me rregullat. Kam avokatin. Së dyti, për persona që nuk i njoh, nuk komentoj. Është normale. Nuk kam asnjë lloj komenti dhe kjo është normale. Ai që u hoq, ai ishte valutë. Se si e hoqën atë, nuk me mora vesh. Kjo pyetje ka marrë përgjigjen më të plotë nga dacibao e Edi Ramës dhe larove të tij. Pasi kërkuan 3 vjet me lupë, nuk gjetën asnjë provë. Sepse një provë të vetme të qëndrueshme, i lejonte ata të formulonin aktakuzë penale. Në asnjë rresht, në asnjë rast ata nuk konfirmojnë një provë të vetme, sepse nuk ekzistojnë. Sigurisht ata kanë thënë se Jamarbër Malltezi, përfundoi nga 113 metra tokë, si investitor, përfundoi me 5.4 milionë euro.

Mirëpo, ata nuk thonë, ndonëse e pohojnë se duhet të jem i saktë, pohojnë se ndërtuesi Fatmir Bekteshi që ishte aksioner me 40 përqind të kompanisë Homeplan, deklaroi se ne që në fillim të tre vendosëm të shesim në gropë, në themel. E thotë ai. Po ata, për të mos falsifikuar dhe mashtruar qytetarët me 5.4 milionë euro, duhet të analizonin të gjithë faturat e shitjes dhe blerjes së pallateve në gropë. Ato janë me qindra e qindra. Ajo kompani ka një bilanc. Dhe ata duhet t’u thonin qytetarëve se pas bilanceve, ky person nuk ka 5.4 milionë euro. Por nuk e bëjnë këtë se e dinë se ky person, qindarkë për qindarkë, i ka të vetat. Por ata janë përpjekur të krijojnë ushqim për horat, për manipulatorët, për të keqshfrytëzuarit. Mund të thonin se është futur jo me 113, por me 1250 metër katror, se ka blerë te kushërinjtë. Kështu që asgjë nuk qëndron aty. Prandaj, edhe pyetja që bën, nuk qëndron se unë kam folur për prova dhe fakte, por jo për trillime dhe manipulime. Për mashtrime. Besoj se jam i qartë”, tha Berisha.

Në përfundim ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi se “mercenarja” e Ramës po shkruan Kushtetutën në tavolinë, ndërsa kishte dhe një ftesë të fundit për Edi Ramën.

“Nuk ka asnjë kërcënim. Gjykatësja me urdhër të Edi Ramës po kërkon të krijojë një precedent të tmerrshëm që nuk ka ndodhur kurrë. Të shkruajë Kushtetutën në tavolinën e saj. Ky është mercenarizëm ekstrem. Nuk shkruhet Kushtetuta. Kushtetuta zbatohet. Asnjë ligj, asnjë person, asgjë nuk mund të dalë mbi Kushtetutën. Ja çfarë thotë neni 73, pika 2: Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo forme, apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës pa autorizimin e Kuvendit. Po deshe ju lexoj nen tjetër, ky nuk është vetëm për deputetët, është për të gjithë qytetarët: Askush nuk mund të pengohet të dalë lirisht jashtë shteti. Thotë neni 38, pika 2. Nëse ti pranon të rrëzojmë Kushtetutën, atëherë hajde të rrëzojmë Kushtetutën. Të rrëzojmë Kushtetutën, kjo nuk ndodh! Cili jam unë në këtë rast? Unë ofroj, e kam bërë në vitin 2012, që t’i krijoj çdo kusht gjykatësit dhe prokurorit, që të heqim këtë nen. Edi Rama e ka mbrojtur me çdo kusht. Tani përsëri, e vetmja ftesë dhe e fundit që kam për Edi Ramën, urdhëro të heqim këtë nen. Shiko, ai kontrollon çdo qelizë të drejtësisë, unë nuk kam frikë. Urdhëro të bëhemi të barabartë me qytetarët. Por këtë nuk e do ai, se ai do të shërbehet me mercenarë që i lejojnë vetes të shkruajnë Kushtetutën. Nuk mund t’ia lë këtë trashëgimi unë vetes sime”, deklaroi ish-kryeministri Sali Berisha.

Lajmet Berisha bën thirrje për kryengritje: Rama kaloi çdo vijë të kuqe, do i përgjigjemi! >> Rahoveci INFO.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

<script async src="https://pagead2.googlesyndication.com/pagead/js/adsbygoogle.js?client=ca-pub-4893917327478903" crossorigin="anonymous"></script>