Bejtullah Deliu: Drejtësia foli – Apeli vërteton pafajësinë time, tani koha të flas hapur

Pas një periudhe të vështirë përballjeje me akuza të pabaza, vendimi i Gjykatës së Apelit më dha të drejtë. Tani zbuloj publikisht çfarë ka ndodhur që nga viti 2014.

E di që lajmi i hidhur për mua dhe i papritur për shumë prej jush që më keni njohur, ka bërë jehonë jo vetëm mes miqve, por edhe më gjerë. Si një figurë tashmë publike, që kam marrë pjesë në dy palë zgjedhje – qendrore dhe lokale – e kam ndier rëndë këtë situatë, sidomos kur shumë prej jush më keni mbështetur duke u bazuar në punën, sjelljen dhe karakterin tim.

Akuzat absurde se unë paskam qenë pjesë e një grupimi të dëmshëm me veprën e falsifikimit të parave, më në fund u rrëzuan plotësisht nga Gjykata e Apelit, njësoj siç kishte konstatuar edhe Gjykata Themelore në Gjakovë. U vërtetua qartë se nuk ka pasur asnjë bazë për këtë vepër, as nga ana ime dhe as nga vëllai im.

Në portalin lokal Rahoveci n’fokus kisha premtuar se do të flisja më gjerësisht sapo procesi të përfundonte. Tani që vendimi i Apelit është dhënë, ka ardhur koha të flas hapur. Nuk desha të reagoj më herët për të mos ndërhyrë në proces dhe për të lejuar që e vërteta të dilte vetë në dritë.

Pas këtij vendimi, nuk kam më asnjë arsye të hesht. Përkundrazi, tani janë krijuar kushtet që të merrem individualisht me personat që kanë keqpërdorur pozitën zyrtare në Postë, duke u përpjekur që prej vitit 2014 të hakmerren ndaj meje. Kjo nisë kur unë e raportova në instanca më të larta të Postës së Kosovës Inspektorin Postal, Shefqet Fazliu, për ngacmim seksual ndaj një kolegeje. Për këtë rast u ballafaquam në zyrën e zëvendëskryeshefit të atëhershëm, z. Shefqet Avdia, në prani të Drejtorit të Inspektoratit, z. Naser Krasniqi, koleges së ngacmuar dhe përfaqësuesve të lartë zyrtarë. Fakti doli i qartë dhe palët u diskredituan me prova.

Që nga ajo ditë filloi një “gjueti shtrigash” ndaj meje, e orkestruar nga Drejtori i Inspektoratit, z. Naser Krasniqi, i cili madje më kërcënoi me jetë në atë mbledhje. U nisa ta raportoj në Polici dhe EULEX, por kolegët ndërhynë duke më lutur të mos e bëja, pasi ai do të arrestohej menjëherë për shkak se ishte liruar me kusht nga rasti “Kleçka”. U arrit një marrëveshje që inspektori Shefqet Fazliu të mos kishte të drejtë inspektimi në Rahovec. Kjo marrëveshje zgjati deri pas vitit 2017, kur pas ndryshimeve në menaxhment, ai e “shkeli” marrëveshjen, dukshëm me leje nga drejtori i tij.

Pas largimit të Shefqet Avdisë filloi periudha më e ashpër ndaj meje: çdo gjashtë muaj dërgohesha në komisione disiplinore pa asnjë arsye dhe pa asnjë argument, vetëm për të krijuar përshtypjen se isha recidivist i shkeljeve.

Më 28.02.2023 ndodhi edhe absurdi më i madh. Pikërisht ky inspektor u thirr për inspektimin e një rasti ku sinjalizues dolën dy sportelistë me të cilët dyshohet se ai kishte bashkëpunim. Po atë ditë, DVR-ja e kamerave të sigurisë u tërhoq jo nga Policia, siç e kërkon ligji, por me urdhër të drejtorit të Inspektoratit, z. Naser Krasniqi, nga kompania që kishte marrëveshje me Postën. Dhe pikërisht atë ditë, “kamerat nuk paskëshin punuar fare”. Ironi, apo qëllim?

Inspektimi nisi jashtëligjshëm, pa praninë time si përgjegjës komunal dhe duke ua marrë paligjshëm telefonat personalë punëtorëve për të pamundësuar komunikimin dhe incizimet.

Detajet janë shumë më të gjata, mbi dhjetëfish më tepër se kjo letër, por këtu i përmbledh shkurt. Të gjitha faktet do t’i paraqes në padinë time zyrtare ndaj Drejtorit të Inspektoratit të Postës, Naser Krasniqi, dhe Shefit të Inspektoratit, Shefqet Fazliu. Po ashtu, do të shqyrtohet padia edhe ndaj panelit të Komisionit Disiplinor, ku u zëvendësua kryetari dhe rasti u politizua, duke rekomanduar ndërprerjen e kontratës pa pritur vendimin e Gjykatës – në kundërshtim me çdo praktikë institucionale.

Do të shqyrtohet ngritja e padisë edhe ndaj dy sportelistëve që dhanë deklarata të dyfishta nën presionin e inspektorit Fazliu.


Të dashur miq,
Ju falënderoj nga zemra të gjithëve që nga minuta e parë besuat në pafajësinë time dhe më qëndruat afër në forma të ndryshme. Një falënderim i veçantë shkon për të ndjerin Qazim Qeska, i cili na qëndroi pranë ditë e natë.

Zoti ju shpërbleftë të gjithëve!

error: Ku po shkon !!

Test

Please consider supporting us by disabling your ad blocker