Bebe Rexha zbulon humbjen e dhimbshme të shtatzënisë

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha ka emocionuar të gjithë me rrëfimin e saj emocional, teksa ka treguar se si e ka përjetuar humbjen e shtatzënisë.
Rrëfimi i saj erdhi pasi reperja Azealia Banks, 33 vjeçe, e kritikoi për pamjen e saj në “Met Gala”, një prej ngjarjeve më të rëndësishme të modës në New York, ka raportuar TMZ.
Rexha iu përgjigj me një koment të drejtpërdrejtë në të njëjtën platformë duke i sugjeruar të shkonte të ndiqte ndonjë terapi.
“Dhe ti ndoshta duhet të mendosh për ndonjë lloj terapie, motër, lexapro më ka ndihmuar shumë mua. Diçka që ndihmon me trishtimin e thellë dhe kaosin që vazhdon të projektosh. Shërimi u bën mirë të gjithëve. Provoje!”, ka shkruar shqiptarja.Përveç kësaj, artistja u shpreh e lodhur nga komentet e vazhdueshme mbi peshën e saj trupore. Ajo zbuloi se ndryshimet në peshë lidhen me sindromën e vezores policistike (PCOS) dhe vështirësitë që ka për të mbetur shtatzënë.
“Jam shumë e lodhur nga komentet për peshën time. Kam PCOS dhe përballem me infertilitetin. Mbeta shtatzënë dhe nuk shkoi mirë, këtë dhimbje e kam mbajtur në heshtje. Nuk i detyrohesha askujt këtë të vërtetë, por ndoshta tani do të mendoni dy herë para se të komentoni për trupin e dikujt tjetër”, ka shkruar Rexha në një postim.
“Ok, tani po shkoj ta shijoj ditën time . Kalofshi një ditë të bukur, ju dua!”, ka shkruar Bebe.