BE-ja pyet se në emër të kujt fliste Vulini për Serbinë në Rusi
Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, e ka cilësuar vizitën e zëvendëskryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vulin, në Rusi si një akt që është në kundërshtim me aspiratat e Serbisë për anëtarësim në Bashkimi Evropian.
Në një deklaratë të bërë të enjten, Stano shprehu shqetësimin e BE-së për veprimet e fundit të Vulin në Moskë, ku ai kishte bërë deklarata të ndryshme në lidhje me marrëdhëniet midis Serbisë dhe Rusisë. “
“Nuk është krejtësisht e qartë në emër të kujt fliste Vulin, veçmas në Moskë, kur tha gjithë ato gjëra për Rusinë dhe Serbinë, sepse Serbia ka aplikuar për anëtarësim në BE dhe është duke negociuar për anëtarësim. Presidenti i Serbisë dhe anëtarët tjerë e Qeverisë kanë përsëritur zgjedhjen strategjike të Serbisë, prioritetin strategjik të Serbisë për t’u bërë pjesë e BE-së”, ka deklaruar ai.
Stano ka theksuar se Serbia duhet të përmbahet nga intensifikimi i lidhjeve me Rusinë, veçanërisht në kontekstin e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.
Ai përmendi se Rusia, nën udhëheqjen e Vladimir Putinit, është duke shkelur Kartën e OKB-së dhe ligjin ndërkombëtar, duke sulmuar parimet dhe vlerat mbi të cilat është e ndërtuar BE-ja.
“Mbajtja apo forcimi i lidhjeve me Rusinë, në kohën e agresionit të saj ilegal ndaj popullit ukrainas, nuk është në përputhje me vlerat e BE-së dhe procesin e anëtarësimit,” shtoi Stano.
Ai shprehu shqetësim se vizitat e shpeshta të Vulin në Moskë dhe retorika e tij nuk janë në përputhje me objektivat e deklaruar të Serbisë për t’u bërë pjesë e BE-së.
Lajmet BE-ja pyet se në emër të kujt fliste Vulini për Serbinë në Rusi >> Rahoveci INFO.