BE-ja miraton agjendat e reformave të Kosovës dhe katër shteteve tjera për Planin e Rritjes
Vendet e Bashkimit Evropian i kanë miratuar të premten agjendat e reformave të pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat i kanë paraqitur ato si kusht për të përfituar nga paketa e Planit të Rritjes, në vlerë prej 6 miliardë eurosh.
Komisioni i IPA-s (Instrumentet e Para-Anëtarësimit) i BE-së dha pëlqimin për agjendat e reformave të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, dhe Serbisë.
I vetmi vend i rajonit, i cili duhet të presë ende miratimin e agjendës së tij, është Bosnje e Hercegovina, pasi që dokumenti që ky vend e ka dërguar në BE, nuk ka qenë komplet dhe nuk i ka adresuar të gjitha sugjerimet e dhëna nga Komisioni Evropian.
Për ketë ka njoftuar presidenca hungareze e Bashkimit Evropian.
Tani, vendet e Ballkanit janë një hap larg pranimit të pagesave të para nga ky plan miliardësh.
Komisioni Evropian pritet që më 16 tetor ta miratojë vendimin përfundimtar për zbatimin e pagesave dhe në këtë mënyrë do të jetë i gatshëm që t’i kryejë edhe pagesat e para nga kjo paketa për këto vende.
Por, para se të bëhen këto pagesa, vendet përfituese duhet t’i nënshkruajnë marrëveshjet dhe t’i ratifikojnë ato në parlamentet e tyre kombëtare, sepse dy miliardë euro do të jenë para pa kthim, ndërsa të tjerat do të jenë kredi të favorshme.
Me këtë paketë, BE-ja synon të ndihmojë rritjen ekonomike në vendet e rajonit dhe, në këtë mënyrë, ta përshpejtojë procesin e integrimit të tyre evropian.
Sipas një përllogaritje jozyrtare, Kosova do të mund të përfitojë mbi 880 milionë euro nga ky plan i rritjes.
Mbi 250 milionë euro, Kosovës do t’i ndaheshin si para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të volitshme.
Rrjedhimisht, Kosovës do t’i paguheshin 7% e mjeteve si “parafinancim”, që i bie rreth 61 milionë euro./rel