BE dënon sulmin e 24 shtatorit: Dështimi për t’i ulur tensionet do të ketë pasoja

Liderët e Bashkimit Evropian e kanë dënuar ashpër sulmin e 24 shtatorit që ka ndodhur në Banjskë të Zveçanit.
“Bashkimi Evropian pret që autorët të arrestohen dhe të sillen shpejt para drejtësisë dhe Serbia të bashkëpunojë plotësisht dhe t’i ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm në këtë drejtim”, thuhet në konkluzionet e miratuara nga Këshilli Evropian në fund të Samitit.
Në fund të takimit dyditor, të mbajtur në Bruksel, liderët e BE-së kanë shprehur shqetësimin e tyre të thellë për situatën e sigurisë në veri të Kosovës.
Me këtë rast, Kosovës dhe Serbisë u është kërkuar që t’i vazhdojnë përpjekjet për uljen e tensioneve dhe të sigurojnë mbajtjen sa më të shpejtë të zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen aktive të serbëve të Kosovës.
“Dështimi për t’i ulur tensionet do të ketë pasoja”.
Presidentët dhe kryeministrat evropianë kanë shprehur keqardhje për mungesën e zbatimit të Marrëveshjes së arritur në shkurt në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve.
BE-ja u ka bërë thirrje dyja vendeve që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet paraprake, pa vonesa dhe pa parakushte, duke përfshirë edhe formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Normalizimi i marrëdhënieve është një kusht thelbësor në rrugën evropiane të dyja palëve dhe të dyja rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të progresit”, thuhet në konkluzionet e nxjerra për Kosovën dhe Serbinë.
Lajmet BE dënon sulmin e 24 shtatorit: Dështimi për t’i ulur tensionet do të ketë pasoja >> Rahoveci INFO.