BDI dhe VLEN zihen, qytetarët vazhdojnë të presin në kolonë në pikën kufitare Bllacë

Derisa qytetarët vazhdojnë të presin në kolona kilometrike në pikën kufitare Bllacë, dy blloqet politike shqiptare, BDI dhe VLEN, vazhdojnë fajësimin e njëra-tjetrës për situatën.
Integristët thonë se tani shqiptarët po e mendojnë dy herë nëse ia vlen të shkojnë në Kosovë për një drekë apo për të vizituar familjarët dhe miqtë. Sipas tyre, Shkupi dhe Prishtina, dy kryeqytetet më të afërtat në rajon me një udhëtim prej më pak se një ore, tani janë bërë të paarritshme.
“Është e qartë se pas kësaj situate ka një plan për të ngadalësuar komunikimin dhe bashkëpunimin ndërmjet dy anëve të kufirit dhe siç duket vonesat janë te qëllimshme dhe kanë për qëllim dekurajimin e lidhjeve te forta e te ngushta mes dy shteteve, posaçërisht te shqiptareve. Kjo duket si një përpjekje për të zbatuar ndikimin e “botës serbe”, që tashmë ka kapluar këtë qeveri”, thonë nga BDI.
Nga VLEN u kundërpërgjigjën duke thënë se ata që hartonin plane kundër Kosovës, si plani 9-pikësh i Bujar Osmanit kur kryesonte me OSBE-në, tani po u shqetësuakan për kolonat kufitare.
“Koalicioni VLEN me qeverisjen serioze e të përgjegjshme brenda pak muajve arriti të nënshkruaj marrëveshje për one-stop shop me Kosovën, e cila së shpejti do të hyjë në fuqi. Kjo do të ofrojë mundësi të reja të lëvizjes së njerëzve dhe mallrave, ku do të jetë fitimprurëse për qytetarët dhe dyja vendet. Derisa BDI, marrëveshje për one-stop shop nënshkruante me Serbinë”, thonë nga VLEN.
I pyetur rreth hapjes së “One stop” në pikëkalimin kufitar Bllacë, ditë më parë kryeministri Micksoki siguroi se kjo marrëveshje do të vendoset në funksion pasi që të përfundojnë zgjedhjet në Kosovë. /TV21