Basha në KiE: Serbia saboton sigurinë në Ballkan me strategji nga Moska! Hetim ndërkombëtar për parregullësitë e zgjedhjeve serbë

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka denoncuar në KiE parregullsi dhe shkelje masive në zgjedhjet në Serbi, duke i qëndruar raportit paraprak të OSBE-së se ato u dominuan nga përfshirja vendimtare e Alensadër Vuçiç në proces, konkurrenca e padrejtë, anësia e medias dhe blerjet e votave.

Pa zgjedhje demokratike dhe sundim të ligjit nuk ka siguri, stabilitet, mirëqenie dhe ëndërr europiane për popujt e Ballkanit Perëndimor, nënvizoi Basha.

Në Asamblenë Parlamentare të KiE-së Basha foli edhe për spastrimin e heshtur që Serbia, sipas tij, po u bën mbi 8 mijë shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Serbia vazhdon diskriminimin etnik dhe spastrimin e heshtur duke pamundësuar rreth 8 mijë shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc marrjen e dokumentave, e duke i privuar ata nga e drejta e votës dhe aksesi në shërbime publike përmes pasivizimit të adresave. Dhuna brutale kundër liderit të një partie të opozitës, Nikola Sandulovic, thjesht sepse u përul para varrit të një vajze 7-vjeçare të vrarë pranë familjes Jashari në Prekaz, duhet të kumbojë kudo si një dëshmi e një fushate intimidimi dhe ndëshkimi, kjo nga një vend që kërkon anëtarësim në BE”, u shpreh Basha.

Po ashtu, kreu i PD nënvizoi se sulmi në Banjskë ende nuk është zbardhur, ndërsa Serbia refuzon të ekzekutojë urdhrin e Interpolit për Milan Radoicic, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

“Nëse Serbia nuk ka asgjë për të fshehur, pse e mbron atë? Serbia vazhdon të sabotojë dhe të kërcënojë sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë e Mal të Zi, me një strategji të mbështetur nga Moska, që synon të stimulojë konfliktin në Ballkanin Perëndimor, për të devijuar vëmendjen nga lufta e saj e paligjshme e pushtimit kundër Ukrainës. Një hetim ndërkombëtar i plotë në parregullsitë e zgjedhjeve serbe dhe mbrojtja e standardeve zgjedhore, gjithashtu në vende të tjera në Ballkanin Perëndimor që përballen me çështje zgjedhore dhe mungesën e sundimit të ligjit, janë imperative”, u shpreh ai.

FJALA E PLOTË E BASHËS

Z. President,
Anëtarë të Asamblesë,

Shkelje masive dhe parregullësi në zgjedhjet në Serbi, siç tregohet nga raporti paraprak i OSBE-së, u dominuan nga përfshirja vendimtare e Presidentit, i cili, së bashku me avantazhet sistemike të partisë në pushtetit, krijoi kushte të pabarabarta. Konkurrenca e padrejtë, anësia e medias dhe blerjet e votave ishin disa nga parregullsitë serioze që ndodhën gjatë këtyre zgjedhjeve, siç deklaroi edhe misioni i vëzhguesve zgjedhorë.

Qytetarë nga shtete të tjera, si Bosnjë dhe Hercegovina, u transportuan për të votuar në Beograd, ndërsa shqiptarët u hoqën nga listat e votuesve. Serbia vazhdon diskriminimin etnik dhe spastrimin e heshtur duke pamundësuar rreth 8 mijë shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc marrjen e dokumentave, e duke i privuar ata nga e drejta e votës dhe aksesi në shërbime publike përmes pasivizimit të adresave.

Këto parregullësi, të bëra publike nga vëzhguesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Parlamentit Europian dhe OSBE-ODIHR, u ndoqën nga një fushatë sulmesh nga politikanët e partisë në pushtet dhe media e kontrolluar nga ata.

Dhuna brutale kundër liderit të një partie të opozitës, Nikola Sandulovic, thjesht sepse u përul para varrit të një vajze 7-vjeçare të vrarë pranë familjes Jashari në Prekaz, duhet të kumbojë kudo si një dëshmi e një fushate intimidimi dhe ndëshkimi, kjo nga një vend që kërkon anëtarësim në BE.

Në Ballkanin Perëndimor, autokratët shpesh janë toleruar në manipulimin e zgjedhjeve, me shpresën e vagullt dhe të rreme për të ruajtur stabilitetin në këmbim të demokracisë dhe sundimit të ligjit. Tani përballemi me pasojat e kësaj qasje të dështuar: viktimat e para janë demokracia dhe sundimi i ligjit. Në fund, stabiliteti është i kërcënuar nga autokratët populistë, që kërkojnë strehim nga dështimet e tyre në aventurat ultra-nacionaliste.

Sulmi terrorist në Banjskë ende nuk është zbardhur, ndërsa Serbia refuzon të ekzekutojë urdhrin e Interpolit për Milan Radoicic, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Nëse Serbia nuk ka asgjë për të fshehur, pse e mbron atë?

Serbia vazhdon të sabotojë dhe të kërcënojë sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë e Mal të Zi, me një strategji të mbështetur nga Moska, që synon të stimulojë konfliktin në Ballkanin Perëndimor, për të devijuar vëmendjen nga lufta e saj e paligjshme e pushtimit kundër Ukrainës.

Një hetim ndërkombëtar i plotë në parregullësitë e zgjedhjeve serbe dhe mbrojtja e standardeve zgjedhore, gjithashtu në vende të tjera në Ballkanin Perëndimor që përballen me çështje zgjedhore dhe mungesën e sundimit të ligjit, janë imperative.

Pa zgjedhje demokratike dhe sundim të ligjit, nuk ka siguri, nuk ka stabilitet, nuk ka mirëqenie, as ëndërr europiane për popujt e Ballkanit Perëndimor.

Lajmet Basha në KiE: Serbia saboton sigurinë në Ballkan me strategji nga Moska! Hetim ndërkombëtar për parregullësitë e zgjedhjeve serbë >> Rahoveci INFO.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

<script async src="https://pagead2.googlesyndication.com/pagead/js/adsbygoogle.js?client=ca-pub-4893917327478903" crossorigin="anonymous"></script>