Bajrami: Qeveria i la qytetarët në të ftohtë e errësirë për t’ua shitur rrymën shteteve të rajonit

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, deklaron se qytetarët e Kosovës gjatë dhjetorit kanë pasur reduktime të energjisë elektrike për shkak se qeveria e ka shitur atë në shtete të rajonit dhe se nuk qëndron arsyetimi që jepej se reduktimet vinin nga ngarkesa në rrjet për shkak të konsumit të madh.
Kështu shprehet Bajrami në një postim në gjatë në Facebook, ku shton se për këto të dhëna bazohet në ato të Doganës së Kosovës.
“Në dhjetor nuk e dinim të vërtetën, por sot ajo dihet. Derisa eksporti i energjisë elektrike për tërë vitin 2024, sipas OpenData të Doganës së Kosovës, është 150.5 milionë euro, vetëm në dhjetor eksporti (shitja jashtë Kosovës) është 135 milionë euro. Pra, ne kemi pasur reduktime në dhjetor sepse energjia elektrike është shitur në Shqipëri për 114.6 milionë euro, në Slloveni për 10.7 milionë euro dhe në Maqedoni për 2.3 milionë euro”, ka thënë ajo.
Bajrami tutje shton se në muajin dhjetor, fshatra e qytete të tëra me orë e më ditë s’kanë pasur energji elektrike, kur temperaturat ishin shumë të ulëta, derisa qytetarët e bizneset qëndronin në të ftohtë e errësirë, energjia elektrike eksportohej – shitej jashtë Kosovës.
“A po e shihni qytetarë dhe ju përfaqësues të bizneseve, se sa kujdeset kjo qeveri për ju; ju ka lënë pa energji për ta shitur atë. Tani, a e ka bërë sepse kështu ju leverdis tregtarëve të energjisë, apo për të dalë me bilanc pak më pozitiv në fund të vitit, kjo mbetet të shihet”, shprehet tutje deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami.