Bajrami për punësimet e reja në KEK: Shkelje ligjore, keqpërdorim i ndërmarrjeve publike për blerje votash
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë se veprimet e fundit të kryeministrit Albin Kurti në KEK dhe SHSKUK janë shkelje të ligjit dhe manipulim për qëllime zgjedhore.
“Ligji për Ndërmarrje Publike, thotë se nuk mund të bëhesh drejtor në ndërmarrje publike nëse në 36 muajt e fundit ke mbajtur ndonjë post politik. Ndërsa, Albin Kurti, duke qenë kryeministër i vendit, për një çast jo vetëm që ushtroi pozitën e drejtorit të KEK-ut, por edhe atë të drejtorit të burimeve njerëzore. Kjo është shkelje ligjore – ky është keqpërdorim i ndërmarrjeve publike për blerje votash”, ka shkruar Bajrami në një postim në Facebook.
Bajrami e ka cilësuar shkelje ligjore shpërndarjen e 220 kontratave punësimi në KEK, duke thënë se me këtë veprim pushteti e ka shndërruar një ndërmarrje publike në instrument të fushatës së tij zgjedhore
“Këto punësime, të maskuara si “në funksion të mihjes dhe prodhimit të qymyrit” siç e tha ai vetë, janë asgjë më shumë se një përpjekje e pastër për të fituar mbështetje elektorale me metoda të paligjshme – komplet të paligjshme. Dhe manipulimi vazhdon!”, ka shkruar Bajrami.
Bajrami kritika ka pasur edhe Po ashtu për hapjen e një konkursi nga SHSKUK për 370 pozita, që kanë qenë të mbajtura për më shumë se 10 vite nga ushtrues detyre.
“Drejtori i SHSKUK-së, para katër ditësh paralajmëroi hapjen e një konkursi për 370 pozita që kanë qenë të mbajtura nga ushtrues detyre për më shumë se 10 vite. Pyetja është: Pse këto pozita u ruajtën për kaq gjatë dhe po shpallen pikërisht tani, në prag të zgjedhjeve? Është e qartë se ky konkurs nuk ka për qëllim reformimin e sistemit shëndetësor, por është një tjetër mashtrim dhe manipulim elektoral”, ka shkruar deputetja e LDK-së.
“Albin Kurti po përpiqet të shpëtojë veten, duke përdorur çdo mjet për të marrë vota. Por koha e fushatave me manipulime dhe premtime boshe po mbaron. Ndryshimi po vjen,” tha Bajrami./21Media