Bajrami pas raportit të BB-së: Qeveria që flet për shushunjat gënjen se papunësia në Kosovë është 4%
Deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami ka reaguar pas publikimit të raportit të Bankës Botërore në të cilin thuhet se në Kosovë janë të punësuar vetëm 37 për qind e popullsisë së aftë për punë.
Bajrami përmes një postimi në Facebook ka shkruar se Qeveria ka gënjyer kur ka thënë se papunësia në Kosovë është 4 për qind.
“Një Qeveri që i ka krejt nivelet e pushtetit e me rreth 12 miliardë euro buxhet të planikfikuar, e në fund të mandatit i ka vetëm 2 kilometra rrugë të asfaltuar invesimet kapitale, natyrisht se na tregon për shushunjat, e vajton që katër vite pse qytetarët nuk i kishin dhënë mundësi të qeveriste edhe më herët, mandej del e gënjen se qysh papunësia në Kosovë na qenka 4%. Po, po kështu kanë thënë se ”papunësia në Kosova në mandatin e tyre është 4%”.”, ka shkruar Bajrami.
“Por përballë propagandës së kryeministrit dhe ministrave të tij të dështuar realiteti është i zëshëm, sepse këtë realitet e jetojmë ne, këtë realitet nuk po e jetojnë vetëm ata që i ngritën pagën vetës me rreth 45% në fillim të mandatit.”
“Banka Botërore po thotë se në Kosovë është shkalla me e ulët e punësimit në rajon, vetëm 37% e qytetarëve në moshë punë janë të punësuar, këtë e thotë edhe Agjencia e Statistikave të Kosovës, këtë jemi duke e thënë edhe ne që një kohë të gjatë “se vendi është katandisë si mos me keq”.”
Më tej ajo ka deklaruar BB ka parashikuar se viti 2024 do të mbyllet me 3.8 për qind rritje ekonomike dhe se me këtë rritje nuk mund të krijohen vende pune as për ata që hyjnë për herë të parë në treg të punës.
“Banka Botërore paska parashikuar se viti 2024 do të mbyllet me 3.8% rritje ekonomike, me kaq rritje nuk mund të krijohen vende pune as për gjeneratën që hyn për herë të parë në treg të punës (mosha 18 vjeçare) e lere më të krijohen vende pune që të zbutet papunësia. Kur jemi të punësimi shqetësimi ynë mbetet që mbi 30% e të rinjëve të grup moshës 15-24 vjet sot nuk janë në punë, nuk janë në shkollë as nuk janë duke u trajnuar. Ku janë këta të rinjë?”, ka shkruar ajo./21Media