Avdullah Hoti ka disa propozime për të dalë nga “kurthi i Serbisë”

Hoti ia propozon katër veprime Qeverisë Kurti për të dalë nga “kurthi i Serbisë”.

Ish-kryeministri, njëherit deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ia ka propozuar Qeverisë Kurti katër veprime për të dalë nga, siç e ka quajtur ai, “kjo kurthë e Serbisë”.

Veprimi i parë që duhet të ndërmerret, sipas tij, është heqja e barrikadave në veri në bashkëpunim me KFOR’in.

Pastaj ka thënë se Qeveria duhet të kërkojë “me ngulm nga BE-ja dhe SHBA-ja të bëjnë presion tek Serbia të mos pengohen dhe të mos rrezikohen qytetarët tanë që kalojnë nëpër Serbi”.

Hoti ka shtuar se Qeveria duhet të tregojë gatishmëri për dialog dhe zgjidhje paqësore, si dhe të dëgjojë këshillat e miqve të Kosovës.

“Ruajeni paqen fuqishëm. Tregoni gatishmëri për dialog dhe zgjidhje paqësore. Dëgjoni këshillat e miqve për veprimet që duhet ndërmarrë në kuadër të dialogut”, ka shkruar Hoti.

Në fund, ka thënë se s’duhet të përmenden lufta e konfliktet.

“Mos përmendni luftë e konflikte. Luftën e kemi paguar shtrenjtë, por e kemi fituar me ndihmën e miqve. Rreziku është të humbim në paqe për shkak të humbjes së mbështetjes nga miqtë tanë”, ka shkruar Hoti.

Ndryshe, pika kufitare midis Kosovës dhe Serbisë në Merdare vazhdon të jetë e mbyllur për qarkullim.

Në anën serbe të Merdares, sipas autoriteteve të Kosovës, janë vendosur barrikada për rreth dy kilometra para arritjes në këtë pikë kufitare.

Policia e Kosovës tha se bllokimi i Merdares është “i kundërligjshëm” dhe po pamundëson lëvizjen dhe qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave.

Mbrëmjen e 27 dhjetorit, Ministria për Punë të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës tha se “grupet kriminale serbe” bllokuan kufirin në Merdare dhe ftoi të gjithë qytetarët e Kosovës dhe ata të diasporës që të shfrytëzojnë pika të tjera kufitare për të arritur në Kosovë.

Rruga Prishtinë-Nish, që kalon përmes Merdares, përdoret për qarkullim nga diaspora e Kosovës, por edhe nga serbët që jetojnë në jug të Lumit Ibër.

Për shkak të barrikadave të vendosura nga serbët lokalë, autoritetet në Kosovë, që nga 10 dhjetori janë mbyllur përkohësisht edhe dy pika të tjera kufitare me Serbinë, atë në Jarinjë dhe Bërnjak.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!