Avancimi i gruas në sport “pajton” MKRS-në dhe federatat

Nëse në shumë raste kanë mospajtime, si te kategorizimi apo ndarja e buxhetit, ajo që po i bashkon Ministrinë e Sportit dhe Federatat e Sportit është qëllimi për avancimin e vajzave dhe grave në sport.
Me rastin e nënshkrimit të memorandumeve, MKRS-ja obligon federatat që 30 për qind të buxhetit ta dedikojnë për gratë dhe vajzat, vendim ky i cili po mirëpritet nga drejtuesit e federatave.
Zëvendësministrja e Sportit Daulina Osmani, ka thënë se ky vendim lidhet ngushtë me kauzën globale për barazi gjinore.
“Në linjë me politikën sportive, por edhe në linjë me kauzën globale drejt barazisë gjinorë në cilindo sektor, ne e kemi parë të rrugës që ta marrim këtë vendim që të gjitha federatat të obligohen që të paktën 30 për qind të buxhetit të tyre nga totali i buxhetit ta orientojnë në aktivitetin sportiv për vajzat dhe gratë… Jemi siguruar që të gjitha sportet të cilat zhvillohen në Kosovë në përputhje me ligjin dhe që e kanë epitetin e një federate dhe që janë të licencuara dhe financohen direkt nga ministria ta ndjekin këtë politikë”, ka thënë Osmani.
Sekretari i Federatës së Hendbollit, Muhamet Arifi deklaron se kjo federatë tashmë ka rreth 48 për qind gra në gjithë komunitetin e përfshirë në sportin e hendbollit në Kosovë.
“Sa i përket Federatës së Hendbollit në realizimin e këtij qëllimi apo synimi jemi në gjendje shumë të mirë sa i përket barazisë gjinore duke përfshirë prezencën e anëtarëve të bordit në bord e po ashtu edhe vajzave të cilat merren me sportin e hendbollit ku për ditën e gruas ku Federata Evropiane ka nxjerrë statistika nga sistemi elektronik i cili menaxhohet nga Federata e Hendbollit dhe se 48 për qind që janë të regjistruar si persona aktiv janë vajza. Gjithashtu në kuadër të kësaj mund të them që aktivitetet e vajzave më këtë edicion kanë qenë më të mëdha se të djemve…Ky vit do të jetë vit i vajza duke marrë parasysh se më muajin prill kombëtarja jonë do të bëjë pjesë në nivelin më të lartë kualifikues për Kampionatin Botëror ku do të superfuqinë botërore, Suedinë”, thekson Arifi.
Por, ka të atillë që rekomandojnë që përqindja e buxhetit të federatave që duhet dedikuar për gra të jetë shumë më i lartë. Nazmi Gashi, sekretarë i Federatës së Karatesë thotë se duke parë rezultatet e mëdha që kanë arritur vajzat në sport, ky buxhet duhet të jetë deri në 70 për qind.
“Është një rekomandim shumë i mirë i MKRS -së në këtë drejtim për shkak se një pjesë e federatave ndoshta duhet t’i shtyjnë projektet e vajzave përpara mirë një pjesë e federatave veçse këto standarde i kemi të arritura më herët si Federata e Karatesë, Federata e Xhudos në kategoritë e tyre i kanë pothuajse njëjtë meshkuj dhe femra dhe po besoj që përfaqësimi është gati 50 me 50 i disave federatave…Sa i përket pjesës së 30 përqindëshit është bërë një punë shumë e mirë për avancimin e sportit të femrave në Kosovë…Ka vend sa të duash që ato mjete të kanalizohen në atë mënyrë dhe në atë formë që femra të zhvillohet sepse ne në bazë të rezultateve të deritanishme është dashur ta kemi ndryshe, është dashur që 70 për qind të buxhetit ta kenë femrat e 30 për qind meshkujt, po flas për rezultatet ndërkombëtare, sepse 70 për qind të rezultateve ndërkombëtare i kemi nga femrat e 30 nga meshkujt,” thekson Gashi.
“Kjo tani mbetet në linjë të organizatave sportive, të cilat me strategjinë e re shtetërore dhe me Ligjin e ri të Sportit obligohen që planet e tyre të aktiviteteve t’i kenë në linjë me strategjinë shtetërore…Presim që të shohim trajnere, të cilave u krijohen mundësitë që t’i ngritin kapacitetet e tyre profesionale, të kenë kushte më të mira në aspektin e pajisjeve elementare sportive, të kenë mundësinë të jenë pjesëmarrëse në aktivitete sportive ndërkombëtare, atëherë kur kualifikohen në kushte më të mira e kështu me radhë”, deklaron Osmani.
Duhet cekur se Kosova ka rrëmbyer medalje të arta e të argjendta, por edhe kampionate ballkanike, evropiane e botërore në sporte, si xhudo, boks e karate pikërisht nga vajzat.