Audio-incizimi Kusari-Radojiçiq, Haxhiu: Përpjekje për ta larguar vëmendjen nga dështimi për rrëzimin e Qeverisë
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është deklaruar në lidhje me incizimet e publikuara ku me ndërmjetësimin e Slavko Simiq, dëgjohen duke biseduar shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari- Lila, dhe terroristi Millan Radojiçiq.
Sipas Haxhiut kërkesat e opozitës për hetim ndaj Kusarit për përgjimet janë përpjekje për të larguar vëmendjen nga “dështimi spektakolar” për rrëzimin e qeverisë apo shkuarjes në zgjedhje.
Ajo ka kritikuar opozitën e cila sipas saj nuk po kërkon nga Serbia ta dorëzojnë dhe nga ndërkombëtarët që t’i bëjnë presion Serbisë.
“Një opozitë që një terrorist qe ka bërë sulm terrorist në Republikën e Kosovës nuk po kërkojnë asnjëherë nga Serbia që ta dorëzojnë atë, nuk kanë kërkuar nga partnerët ndërkombëtar t’i bëjnë presion Serbisë që t’i dorëzoj terroristet, jo vetëm Radojiçiqin. Tash paskan kërkuar hetim ndaj Mimoza Kusarit, unë mendoj qe kjo është një përpjekje për të larguar vëmendjen nga një dështim spektakolar që e patën, për rrëzim të qeverisë apo shkuarje në zgjedhje. Opozita duhet të jetë e bashkuar por ju e keni parë, njëra kërkon dorëheqje të qeverisë e tjetra shpërndarje të Kuvendit”, u shpreh Haxhiu.
Për këto përgjime është deklaruar dje edhe kryeministri Kurti. Ai tha se nuk i ka dëgjuar incizimet, mirëpo shtoi se qytetarët e kanë shumë të qartë se pse Radojiçiqi ikë tash e dikur ishte në kryeministri.
“Unë vete nuk i kam dëgjuar, mirëpo qytetarët e Republikës së Kosovës e dinë se kush ka bashkëpunuar me Radojiçiqin edhe e kanë shumë të qarte pse Radojiçiq ka ikë tash e dikur ishte në kryeministri.”
Kurti tha se zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka, e “ka dhënë përgjigjen e saktë dhe të qartë”.
“Për këtë zëdhënësi i subjektit ku unë jam kryetar, Lëvizja Vetëvendosje, Arlind Manxhuka e ka dhënë përgjigjen e saktë e të qartë.”
Gazetarët e pyetën se pse Mimoza Kusari duhet të bisedojë me Radojiçiqin. Ai u përgjigj duke thënë se “ajo është një situatë e montuar”.
“Ajo është një situatë e montuar dhe Millan Radojiçiq këtë muaj i bënë 9 muaj që ndodhet i lirë në Serbi dhe trysnia do duhej të ishte që në Kosovë të ketë aktakuzë dhe të arrestohet”, tha ai.
Kur u pyet nga gazetarët nëse do të marrë masa ndaj Kusarit, Kurti tha se Mimoza Kusari- Lila nuk është anëtare e LVV-së.
“Po e kuptoj që po përpiqeni të dramatizoni me çdo kusht disa sekonda prej një bisede që nuk e di si është marrë e ku është marrë, e si u pre e nga kush u organizua. Por edhe një herë, unë jam kryetar i LVV-së dhe Mimoza Kusari nuk është anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje. Edhe po të ishte anëtare e LVV-së, për këso gjërash ka komisione brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Nuk e ka Vetëvendosja kryetarin diktator që merr vendime siç do të kishte dëshiruar ndokush”, tha Kurti.
Lajmet Audio-incizimi Kusari-Radojiçiq, Haxhiu: Përpjekje për ta larguar vëmendjen nga dështimi për rrëzimin e Qeverisë >> Rahoveci INFO.