Arsenali pëson humbjen e parë me një lojtar më pak në fushë
Bournemouth ka shënuar fitore sonte para shikuesve të vet me rezultat 2:0, duke i shkaktuar kështu humbjen e parë Arsenalit, pas tetë ndeshjeve të zhvilluara në Premierë Ligë, pas së cilës Manchester City i Pep Guardola mbetet skuadra e vetme në Premier Ligë pa humbje.
Arsenali konsiderohej favorit para takimit duke marrë parasysh formën e mirë të futbollistëve, por gjërat u përkeqësuan kur William Saliba ndërhyri ndaj Evanilson në mënyrë të palejuar dhe arbitri i takimit e ndëshkoi me karton të kuq pas shikimit të VAR-it në minutën e 30-të.
Derisa në pjesën e parë nuk pati gola, skuadra vendëse gjeti rrugën drejt golit për vetëm brenda nëntë minutave, duke shënuar dy herë – Ryan Christie në minutën e 70-të dhe Justin Kluivert nëntë minuta më vonë nga pika e bardhë.
Pas kësaj humbjeje, “topçinjtë” renditen në pozitën e tretë në tabelë me 17 pikë, duke humbur rastin të tejkalojnë liderin Liverpool që ka një pikë më shumë (18), por një ndeshje më pak të zhvilluar, teksa në pozitën e dytë renditet kampioni aktual Manchester City, po ashtu me një ndeshje më pak të zhvilluar.
Bournemouth, për të cilin kjo ishte vetëm fitorja e tretë në këtë edicion të garave, renditet në pozitën e 10-të me 11 pikë.
Liverpool – Chelsea dhe Wolves – Manchester City janë dy ndeshjet që përmbyllin nesër javën e tetë të Premier Ligës.
Në ndeshjet e tjera të zhvilluara sot, skuadra e Tottenham ka shënuar fitore si vendës ndaj West Ham me rezultatin 4:1. Fullham si vendës pësoi 1:3 nga Aston Villa, e cila tash renditet në vendin e katërt në tabelë me 17 pikë, duke ashpërsuar kështu luftën për titullin e ri.
Manchester United mposhti Brentford me rezultatin 2:1, ndërsa Newcastle United humbi papritmas nga Brighton si vendës 0:1 dhe Southampton pësoi në terrenin vendës nga Leicester City – 2:3. Fitore tjetër si mysafir në javën e tetë shënoi edhe Everton kundër Ipswich Town me rezultatin 2:0.