Arrestimet e shqiptarëve nga Serbia, muajt e verës rrezik për mërgimtarët
Krejt lehtësisht e pa shumë zhurmë po vazhdojnë të ndodhin arrestimet e shqiptarëve të Kosovës nëpër pikat kufitare, nga ana e Serbisë.
I fundit ishte në fillim të këtij muaji, por që sfidë po llogariten muajt e ardhshëm të verës, kur fluksi i mërgimtarëve kosovarë nëpër pikat kufitare me Serbinë shtohet dukshëm.
Të gjithë mërgimtarët pa përjashtim potencialisht janë të rrezikuar po thotë avokati Xhevdet Smakiqi, që kërkon veprimin e dorës së shtetit.
“MPJD thuajse nuk ekziston fare, ekziston vetëm me ndonjë postim në facebook apo deklaratë verbale të ministres, apo eksponentëve të tjerë, çka ish dashtë me bo një qeveri normale, efektive, ish dashtë me ndërmjetësit të arrijë një marrëveshje që përveç monitorimit të këtyre rasteve, të sigurohemi që lëvizja e lirë, që marrëveshjet në Bruksel që janë arrit, dialogjet, të respektohen dhe të sigurohet lëvizje e lirë për ardhjen e diasporës në Kosovë”, ka deklaruar Smakiqi.
Nga ana tjetër, profesori Dritëro Arifi, krejt zgjidhjen po e sheh te ndërkombëtarët, dhe ndikimin e tyre tek autoritetet serbe.
“Kosova krejt çka mund të bëjë është që me partnerët ndërkombëtarë ta bëjë një vije të kuqe që më nuk guxon t’i kidnapojnë qytetarët e Republikës së Kosovës, nëse kanë shqetësime për krimet e luftës atëherë duhet ta bëjmë përmes kanaleve zyrtare të Republikës së Kosovës apo partnerëve ndërkombëtar, pra ekzistojnë një milion mundësi për të cilat ata mund t’i shprehin nëse ka shqetësime mbi këtë çështje, kjo është më shumë politike se sa që ka të bëj me çështjen e ligjit apo krimet e luftës. Mendoj që qeveria e Kosovës duhet me urgjencë ta marr këtë rast sepse kjo po na përsëritet herë pas here dhe është e dhimbshme sepse kemi persona që ende figurojnë që mbahen në burgje pa ndonjë procedurë të rregullt.”, ka deklaruar Arifi, raporton Dukagjini.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme kanë thënë se po analizojnë sjelljen e Serbisë dhe konform situatave që mund të lindin do të dalin me rekomandime për qytetarët e shtetit.
Përderisa tregojnë një veprim konkret që kanë ndërmarrë.
“Në lidhje me këto veprime të Serbisë, MPJD përmes Ambasadës së Republikës së Kosovës në Otava, ka njoftuar Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kanadasë, si sponsorizuese e iniciativës kanadeze që ndalon veprimet e tilla arbitrare të shkaktuara nga shtetet e ndryshme për qytetarët e vendeve tjera, pjesë e së cilës është edhe Republika e Kosovës”, thuhet nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Tefik Mustafa, u arrestua më 1 qershor nga policia e Serbisë në pikën kufitare në Merdar, nën akuzat për krime lufte kundër popullsisë jo-shqiptare gjatë luftës në Kosovë më 1999. Të arrestuar atje vazhdojnë të jenë edhe Hasan Dakaj, Sadik Duraku dhe Nezir Mehmetaj.
Lajmet Arrestimet e shqiptarëve nga Serbia, muajt e verës rrezik për mërgimtarët >> Rahoveci INFO.