ARKEP autorizon Starlink, për shërbime dhe ofrim të qasjes me internet në çdo lokacion të territorit të Kosovës
Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, ka njoftuar se kompania Starlink është autorizuar për ofrimin e shërbimeve në Republikën e Kosovës. Kjo është bërë e ditur përmes një postimi në Facebook nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).
Hyrja e kësaj kompanie në tregun vendor do të sjellë përfitime për sektorin e ekonomisë dhe zhvillimin e përgjithshëm të Kosovës, duke krijuar mundësi të reja për inovacion dhe pritet të ketë një avansim të infrastrukturës digjitale në vendin tonë.
“Ky autorizim përfaqëson një hap të rëndësishëm për avansimin e infrastrukturës digjitale në vend dhe ofron mundësi të shumta për ofrimin e qasjes në internet në çdo lokacion të territoririt të Republikës së Kosovës. Në të gjithë globin, Starlink u ka mundësuar komuniteteve në nevojë të kenë qasje në arsim, shërbime shëndetësore, të mundësojnë punën në distancë dhe të ofrojnë mbështetje kritike të komunikimit gjatë fatkeqësive natyrore ose raste tjera të emergjencave kombëtare”, thuhet në njoftim në Facebook.
“Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (tutje – ARKEP) më datë 18 Tetor 2024 ka lëshuar autorizimin e përgjithshëm për kompaninë Starlink, një lider global për ofrimin e shërbimeve satelitore të qasjes në internet”, thuhet tutje në njoftimin e ARKEP. /21Media