Apeli në herën e dytë vërteton vendimin e Themelores për konfirmimin e aktakuzës ndaj “Kobrës” dhe të tjerëve

Gjykata e Apelit përmes vendimit të 9 tetorit 2024 ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, përmes të cilit ishte konfirmuar aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës ndaj Dibran Hoxhajt i njohur si “Kobra” si dhe ndaj Roland Susurit, Arben Vezajt, Burim Mazrekut dhe Jesmir Badallit.

Sipas Apelit, vendimi i Themelores nuk është i përfshirë në shkelje esenciale apo shkelje tjera dhe se në vendim janë dhënë arsye të mjaftueshme dhe të qëndrueshme që të refuzohen kërkesat e mbrojtjes lidhur me kundërshtimin e provave dhe kërkesës për hudhje të aktakuzës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithnjë sipas këtij vendimi, thuhet se hetimi ndaj të akuzuarve është kryer konform dispozitave ligjore dhe i mbikëqyrur nga gjyqtari i procedurës paraprake, prandaj edhe provat e listuara si në aktakuzë janë marrë në harmoni me dispozitat ligjore në fuqi.

Tutje, në këtë vendim thuhet se dëshmitë e dëshmitarëve janë marrë konform dispozitave ligjore në fuqi, çka dallon me marrjen e deklaratës, e në të cilën fazë obligim është që të ftohen mbrojtësit e të akuzuarve, por vetëm kur kemi marrje të deklaratës dhe jo marrjen në pyetje.

Prandaj, sipas Apelit, tek dëshmitarët është bërë marrja në pyetje për çka nuk ka qenë e obligueshme që të ftohet mbrojtja e të akuzuarve të jenë prezent gjatë asaj procedure.

“…gjegjësisht kolegji rikujton se ekzistojnë dy mënyra si mundësi të veprimit hetimor në këtë fazë si autorizim i prokurorisë, dhe në rastin konkret marrja në pyetje nga të pandehurit që është bërë në prokurori e që mbrojtja nuk është njoftuar ka të bëjë me provën që nuk mund të shërbej për përdorim të drejtpërdrejt si provë por se mund të shërbej për të krijuar dyshimin e bazuar të mirë, rrjedhimisht kjo nuk përbën provë të papranueshme”, thuhet në vendim.

Në fund, Apeli ka konstatuar se Themelorja me të drejtë ka hedhur poshtë pretendimet e mbrojtësve të të akuzuarve dhe ka vendosur që çështja të kalojë në shqyrtim gjyqësor.

Pas vendimit të Apelit, tashmë Themelorja ka caktuar për në nëntor seancën, ku pritet të nisë shqyrtimi gjyqësor.

Kujtojmë se fillimisht, Gjykata Themelore e Prishtinës përmes aktvendimit të 29 prillit 2024, kishte refuzuar kërkesën e mbrojtjes, duke e konfirmuar kështu aktakuzën ndaj të lartcekurve.

Por, duke mos u pajtuar me vendimin e Themelores, mbrojtja ishte ankuar në Gjykatën e Apelit,  ndërsa kjo e fundit rastin e kishte kthyer në rivendosje.

Themelorja më 5 gusht 2024 edhe në herën e dytë kishte konfirmuar aktakuzën ndaj “Kobrës” dhe të tjerëve.

Ndryshe, në seancën fillestare më 7 mars 2024 Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra”, Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badalli ishin deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat për vrasjen e V.C më 3 janar 2023 në lokalin “Kobra City” në Prizren.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 20 shkurt 2024, ka ngritur aktakuzë kundër Dibran Hoxhajt i njohur si “Kobra” dhe Roland Susurit, Arben Vezajt, Burim Mazrekut dhe Jesmir Badallit, për vrasjen e shtetasit të Shqipërisë në Prizren një vit më parë.

Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, “Kobra”, akuzohet se më 3 janar 2023, në ora 4:10, në afërsi të lokalit të tij “Kobra City”, në magjistralen Prizren-Zhur, me dashje ka privuar nga jeta V.C,  duke vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve R.T (Sh) dhe A.B.

Deri te rasti, sipas aktakuzës së Prokurorisë kishte ardhur pasi të dëmtuarit nuk ishin pajtuar me faturën e lartë në lokal, duke filluar kështu një zënkë me punëtorët e lokalit.

Pas zënkës, thuhet se viktima dhe të dëmtuarit, kishin hyrë në veturën “Mercedes”, me qëllim që të largoheshin nga lokali. Por, thuhet se tashmë i akuzuari Dibran Hoxhaj pasi ishte njoftuar për ngjarjen, në ato momente kishte arritur në lokal me veturën “Audi Q7”, pronë e dëshmitarit Enver Amrllahu. “Kobra”, thuhet se kishte hyrë në lokal, kishte marrë pistoletën dhe iu ka afruar veturës së të dëmtuarve.

Sipas aktakuzës, nga motive të ulëta, demonstrimi i forcës së paskrupullt dhe kërcënim për të gjithë ata që e kundërshtojnë në çfarëdo mënyre, ka hapur derën e vozitësit tani të dëmtuarit  R.T (Sh) dhe ka shkrepur me armë dhe ka plagosur në kofshë të djathë të dëmtuarin T (Sh).

Ky i fundit, thuhet se kishte rritur shpejtësinë e veturës dhe kishte dalë në rrugë, por që i akuzuari “Kobra”, kishte shtënë me armë edhe katër herë tjera, duke goditur tashmë viktimën V.C në shpinë, pasi i njëjti ishte i ulur në ulëset e pasme të veturës.

Viktima V.C, të cilit plumbi i kishte shkaktuar gjakderdhje të brendshme, nuk kishte arritur t’i përballonte plagët ku edhe kishte ndërruar jetë gjatë rrugës për në Spitalin e Kukësit.

Më këtë, “Kobra”, akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, par.1, nënpar. 1.5 dhe 1.8 të KPRK-së.

Ai po akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje nga neni 366, par.1 të KPRK-së, pasi thuhet se nga koha e pavërtetuar deri më 3 janar 2023, në lokalin e tij ka mbajtur në posedim një pistoletë gjysmë-automatike, me një karikator me kapacitet 13 fishekë, të cilin edhe e ka përdorur për të kryer veprën penale nga dispozitivi i parë si dhe një pistoletë tjetër me një karikator me 8 fishekë.

Tutje në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhet se Roland Susuri dhe Burim Mazreku në lokalin “Kobra City” pas ngjarjeve të ndodhura i fshehin provat, ku fillimisht Mazreku me kërkesë të Dibran Hoxhës fsheh pistoletën si dhe armën tjetër. Aktakuza thotë se arma është gjetur nga ana e policisë në afërsi të lokalit “Kobra City”, kurse Susuri kishte fshehur DVR e kamerave të sigurisë së lokalit në vend të paidentifikuar.

Me këto, veprime Susuri dhe Mazreku po ngarkohen për veprën penale “Manipulim me prova” nga neni 389, paragrafi 1 KPRK-së.

Kurse në dispozitivin e tretë të aktakuzës, Roland Susuri, Jesmir Badalli dhe Arben Vezaj me qëllim të frikësimit të të dëmtuarve R.T dhe A.B dhe tani të ndjerit V.C., ku si të dëmtuar refuzonin të paguanin faturën prej 400 euro, gjatë rrahjes të pandehurit Susuri dhe Badalli me rrokin armën, kurse shkopin e bejsbollit Vezaj.

Prandaj, për këto veprime Susuri, Badalli dhe Vezaj po ngarkohen për veprën penale “Pjesëmarrje në rrahje” nga neni 187, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 31 të KPRK-së.

Në dispozitivin e katërt të aktakuzës Roland Susuri dhe Jesmir Badallaj po ngarkohen për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366, paragrafi 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Ballina
RadioDrini
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Test

Please consider supporting us by disabling your ad blocker