Ankesa e Nasim Haradinajt, Specialja shpall aktgjykimin: S’ka pasë asnjë shkelje
Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese ka shpallë sot aktgjykimin në lidhje me ankesën e Nasim Haradinajt për shkeljen e të drejtave të tij gjatë gjykimit në Hagë.
Në aktgjykim, Dhoma Kushtetuese e shpalli një pjesë të ankesës së tij të papranueshme dhe hodhi poshtë pjesën tjetër, duke konstatuar se nuk kishte asnjë shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ose të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore.
Njoftimi i plotë nga Dhomat e Specializuara:
Më 31 maj 2024, Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese lëshoi Aktgjykimin në lidhje me kërkesën referuese të paraqitur nga Nasim Haradinaj, i cili pretendonte shkelje të të drejtave dhe lirive të tij në kontekstin e procesit penal kundër tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në aktgjykim, Dhoma Kushtetuese e shpalli një pjesë të ankesës së tij të papranueshme dhe hodhi poshtë pjesën tjetër, duke konstatuar se nuk kishte asnjë shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ose të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore.
Z. Haradinaj ishte ankuar se ishte shpallur fajtor mbi bazën e interpretimeve të gjera në mënyrë të papërligjur të tri dispozitave të Kodit Penal të Kosovës dhe se veprimet e tij nuk përbënin vepra penale në kohën e kryerjes së tyre. Në lidhje me këtë, Dhoma Kushtetuese konstatoi se z. Haradinaj nuk kishte shfrytëzuar si duhet të gjitha mjetet juridike të efektshme sipas ligjit për dy prej pretendimeve të tij dhe e shpalli ankesën pjesërisht të papranueshme.
Z. Haradinaj gjithashtu ishte ankuar se kishte qenë objekt i shtytjes nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për kryerjen e veprave penale për të cilat u shpall fajtor dhe se dhomat penale gabuan në zbatimin e standardit juridik, duke ia kaluar atij detyrimin e vërtetimit në lidhje me pretendimin e tij. Në lidhje me këtë, Dhoma Kushtetuese konstatoi se situata e z. Haradinaj thjesht nuk përfshihej në situatë shtytjeje dhe duke mos konstatuar në dukje shkelje të të drejtave të tij, e shpalli ankesën të papranueshme.
Z. Haradinaj gjithashtu pretendoi se mospërjashtimi i përgjegjësisë së tij penale prej dhomave penale mbi bazën e faktorëve të interesit publik përbënte shkelje të së drejtës së lirisë së fjalës. Pasi konstatoi se z. Haradinaj nuk kishte shfrytëzuar mjetet juridike sipas ligjit në lidhje me këtë aspekt, Dhoma Kushtetuese e deklaroi edhe këtë ankesë të papranueshme.
Së fundi, Dhoma Kushtetuese gjykoi se interpretimi prej dhomave penale i veprës penale të “pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare me anë të kërcënimit të rëndë” logjikisht mund konsiderohet se është në përputhje me thelbin e asaj vepre penale dhe logjikisht mund të ishte parashikuar prej z. Haradinaj në kohën e kryerjes së saj. Rrjedhimisht, Dhoma Kushtetuese konstatoi se nuk kishte shkelje të Kushtetutës së Kosovës ose të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut.
Më 25 shtator 2020, z. Haradinaj u arrestua në Prishtinë, Kosovë dhe më 26 shtator 2020 u transferua në objektin e paraburgimit të DHSK-së. Më 11 dhjetor 2020, Gjykatësi i Procedurës Paraprake konfirmoi aktakuzën fillestare kundër tij dhe gjykimi filloi më 7 tetor 2021.
Më 18 maj 2022, Nasim Haradinaj u shpall fajtor për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procesit penal dhe shkelje të fshehtësisë së procesit. Ai u dënua me katër vjet e gjysmë burgim, duke iu llogaritur koha e kaluar në paraburgim dhe me një gjobë prej 100 euro.
Më 2 shkurt 2023, Paneli i Apelit la në fuqi fajësinë e z. Haradinaj për frikësim gjatë procesit penal, shkeljen e fshehtësisë së procedurës dhe pengim të personave zyrtarë përmes kërcënimit të rëndë. Paneli i Apelit prapësoi konstatimin e Trupit Gjykues në lidhje me pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes veprimit të përbashkët të një grupi dhe e shpalli z. Haradinaj të pafajshëm për këtë akuzë. Duke u bazuar në konstatimet e nxjerra, shumica e Panelit të Apelit e uli dënimin në katër vjet dhe tre muaj.
Më 2 maj 2023, z. Haradinaj dorëzoi kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë. Në vijim, Kryetarja caktoi Panelin e Gjykatës Supreme që të vendoste në lidhje me kërkesën. Më 18 shtator 2023, Paneli i Gjykatës Supreme e hodhi poshtë kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë.
Më 12 dhjetor 2023, Kryetarja vendosi të modifikonte dënimin e z. Haradinaj duke mundësuar lirimin e tij me kushte specifike më 14 dhjetor 2023, kushte që do të jenë në fuqi gjatë të gjithë kohëzgjatjes së dënimit. /Betimi për Drejtësi
Lajmet Ankesa e Nasim Haradinajt, Specialja shpall aktgjykimin: S’ka pasë asnjë shkelje >> Rahoveci INFO.