A priten rezultate nga takimi i kryenegociatorëve të dialogut Kosovë-Serbi?

Më 17 dhjetor do të jetë takimi i radhës mes kryenegociatorëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Këtë ka konfirmuar Klisman Kadiu këshilltar i zëvendeskryeministrit, Besnik Bislimi.
Ish-kryenegociatori për dialogun Kosovë-Serbi, Avni Arifi për portalin rtv21.tv, ka thënë se nga takimi i negociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, nuk pritet të ketë rezultate për përparimin e dialogut.
“Nuk do të ketë asnjë sukses në takimin e dhjetorit. Takim për hir të takimit. Serbia dihet që tradicionalishte nuk është e interesuar kurse Kosova me Albin Kurtin në fushatë nuk ka shanc të bëjë asgjë që i rrezikon votë Kosova nuk është duke ndërmarrë asnjë hap për përmirësimin e veprimeve në dialog dhe nuk ka shprehur asnjë interesim që të bëjë veprime që ky proces të përmbyllet me sukses”, tha Arifi për portalin rtv21.tv
Analistja politike Afërdita Maliqi në një prononcim për portalin rtv21.tv, ka thënë se Kurti nuk ka vullnet të zbatojë marrëveshjen që e ka pranuar në Bruksel.
“Takimi i paralajmëruar më 17 Dhjetor ndëmjet negociatorêve të Kosovës dhe Serbisë nuk pritet të ketë ndonjë rezultat rreth cështjes së përparimit të dialogut, e konkretisht zbatimit të Marrveshjeve. Kjo për faktin se këto takime koheve te fundit me shume po behen sa per te permbushur agjendat protokollare, se sa prodhojne dicka konkrete”, tha Maliqi.
Tutje Maliqi e sheh të pamundur zbatimin e marrveshjen që e ka pranuar vetë Qeveria e Kosovës në Bruksel.
“Lajcak është në fund të mandatit, edhe Qeveria e Kosovës po ashtu në fund kështu që nuk do të ketë asnjë rezultat. Kjo qeveri nuk ka pasur vullnet të zbatojë marrveshjen që e ka pranuar vetë në Bruksel, andaj është absurde që të ndodh dicka në fund të mandatit”, deklaron ajo.
Për takim të ardhshëm kishte thënë se po bëhen përgatitjet edhe emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, në një postim të tij më 24 nëntor në Facebook ku shpesh bën një përmbledhje të punës së tij javore. Megjithatë, ai s’ka dhënë datë.
“U angazhova në diskutime të rëndësishme mbi dialogun dhe rrugën përpara. Këto biseda janë kritike në formësimin e punës që po bën ekipi im ndërsa përgatitemi për takimin e ardhshëm të kryenegociatorëve në dhjetor”, kishte shkruar Lajçak.
Takimi i fundit mes zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe kryenegociatorit serb, Petar Petkoviq, u mbajt më 24 tetor. Por, edhe ky takim kishte përfunduar pa ndonjë rezultat.
Lajçak më pas kishte thënë se fokusi në këtë takim ishte “në avancimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht përmes zbatimit të Marrëveshjes së vitit 2023 për Rrugën drejt Normalizimit”
“Megjithëse nuk bëmë hapa përpara për këtë, unë jam optimist për disa përparime të arritura në disa çështje të tjera kyçe, të cilat do t’i ndjekim në javët e ardhshme”, kishte thënë Lajçak. /21Media