A ka siguri ne Shkodër?

A ka siguri ne Shkodër?
Kosova.info – Drejt, shpejt, guximshëm… 15 vite me ju!
Kur rreth 20 vjet më parë dhe në vijim u pata shprehur kritik për mungesën e sigurinë në Shkodër, patën vërshuar një lumë reagimesh dhe vërejtjesh të shkruara nga “analistë” ose nga ato tipat sehirxhinj që e kalojnë gjithë paraditen dhe pasditen me nga një kafe të lira të lokaleve të lagjeve duke diskutuar me kompetencë për situatën në Gjirin Persik dhe tema të tjera globale meqë punët e veta i kanë “rregulluar”. Meqë fb dhe rrjetet sociale nuk kishte si sot që këta “analistë” të vetësahpallur vijojnë që të “debatojnë” por vetëm duke hyrë si pykë pas të tjerëve (!) meqë vetë janë shterpë.
Ndërsa sot mund të them akoma më i bindur se Shkodra është një qytet i preferueshëm për të bërë eksperimente nga qarqe keqdashëse ose me mire te themi nga qarqe të hershme, historikisht antishqiptare por jo vetëm të cilat kanë kontaktet e tyre të trashëguara këtu.
PRECEDENTET E HERSHEM KRYESORE
Po rendis disa fakte të ftohta destabilizimi ose terrorizmi të mirëfilltë nga burime të sigurta jo vetëm nga rendi dhe siguria por edhe nga të tjera burime të sigurta nga rajoni me të cilat operoj prej më se 25 vjetësh që më çojnë bindshëm në përfundimin e mësipërm:
-Në pranverën e vitit 1995 në policinë e Shkodrës vërshuan me dhjetëra denoncime për humbje fëmijësh në qytet dhe në rrethinat e Shkodrës. Policia kriminale u vu në lëvizje por pa rezultat. Kjo për arsye se ishin larguar nga puna thuajse të gjithë oficerët profesionalë të krimeve për arsye politike (!) duke nisur nga viti 1992.
-Në mars të vitit 1997 menjëherë pas çeljes në të njëjtën orë të depove të armatimit të ushtrisë në tërë vendin, në Shkodër ndodhi një ngjarje akoma më e rëndë e tipit mafioz. Vetëm 5 persona të armatosur dhe me një autoveturë vodhën Thesarin e Veriut ose rreth 5 milionë dollar amerikanë në qendër të qytetit ku ndodhej në atë kohë dhe të pashqetësuar nga askush. Detaje të këtij veprimi banditesk por edhe të dirigjuar nga vetë shteti I asaj kohe I kam shpjeguar në investigimin e botuar në gazetën e përditshme “Tema” në tetor 2005.
-Në fillim të gushtit të vitit 1998, pas një operacioni joprofesional të organizuar në qytetin e Shkodrës nga CIA në bashkëpunim me Shërbimin Informativ Kombëtar, nuk u arritën që të kapeshin 2 nga pjesëtarët e grupit terrorist të Xhihadit egjiptian, një sirian dhe tjetri egjiptian, të cilët vetëm pak ditë më parë kishin qenë pjesë aktive dhe direkt e vendosjes së eksplozivëve pranë ambasadave amerikane në kryeqytetet e Kenias dhe Tanzanisë, respektivisht në Nairobi dhe Dar Es Salam ku patën gjetur vdekjen gjithsej afro 250 persona. Dështimin e këtij operacioni joprofesional dhe arsyet i kam publikuar në specialen investiguese “Mision i dështuar i CIA-s në Shkodër” në revistën Spektër datë 14 korrik 2001 si dhe në ribotimin e plotësuar me fakte të reja, gradualisht, në revistën shqiptare “PRESTIGE” e cila botohej në Selanik, në qershor 2003 dhe përfundimisht në gazetën “Tema” më dt. 5 mars 2006.
-Duke u gdhirë 19 gushti i po këtij viti, 1998, pat shpërthyer eksploziv që ishte vendosur në kishën ortodokse të Shkodrës. Kjo ngjarje u konsiderua si shenjë revolte ndaj kryeministrit socialist të asaj kohe Fatos Nano që i përkiste besimit ortodoks. Shkodra me një shumicë të djathtë e përjetoi me disa ngjarje destabilizuese rotacionin e shpejtë në rezultat nga zgjedhjet parlamentare të vitit 1996 në ato të vitit 1997. Autorët nuk u gjetën asnjëherë…
-Më 11 shtator të vitit 2001, vetëm pak minuta pas 2 shpërthimeve të fuqishme në 2 kullat binjake në Nju York, pra duke nisur me orën tonë pas orës 15 00, në disa nga lokalet e lagjeve perëndimore të Shkodrës u patën servirur në mënyrë demonstrative kafe falas për kalimtarët e panjohur me arsyetimin se ishte një lajm i mirë, sihariq, sepse u godit fort “Djalli I Madh” (kështu emërtohej në atë kohë nga Xhihadi Egjiptian Shtetet e Bashkuara të Amerikës).
-Në qershor 2005 ne kulmin e fushates elektorale te zgjedhjeve parlamentare te 3 korrikut 2005 u sulmua linja e tensionit te larte breda ne territorin e Hidrocentralit te Vaut të Dejës. Situata do te kishte dale jashtë kontrollit dhe pasojat do te ishin katastrofale nëse personeli qe u ndodh ne turnin e dyte nuk do te ndërhynte shpejt dhe ne mënyrë profesionale. Policia e shtetit çuditërisht nuk pat lejuar gazetaret qe te filmonin flaket qe shpërthyen dhe këto sekuenca u panë nga publiku vetëm ne distance, jashtë derës se jashtme të këtij Hc.
-Nga nëntori 2005 deri në qershor të vitit 2006 në zonën e Bushatit pranë Shkodrës si dhe në disa zona malore në Veri të Shkodrës janë rrëzuar natën kryqe të besimit katolik të ndodhur në kodra dhe vende të tjera të dukshme e deri në varreza. Autorët nuk u gjetën asnjëherë.
-Ndeshja ndërkombëtare e futbollit ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit e planifikuar që të luhej në Shkodër në nëntor të vitit 2016, e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror të Futbollit ‘2018, u anulua dhe u zhvendos në Elbasan vetëm disa ditë para. Arsyeja? Mungesa e sigurisë që ofronte ky qytet në raport me ruajtjen e ekipit dhe tifozëve izraelitë. Kjo përbën provën më të mirë se nga ana e palës shqiptare, ose më mirë të themi nga ana e shërbimit të lodhur informativ të shtetit shqiptar nuk kishte asnjë informacion shqetësues përderisa Shkodra ishte caktuar dhe miratuar me kohë si qyteti ku do të luhej kjo ndeshje. Por ka qenë kundërshtimi i prerë i shtetit hebre nëpërmjet shërbimit të tij sekret MOSAD i cili ka devijuar për në Elbasan zhvillimin e kësaj ndeshjeje, ku edhe në fakt u zhvendos. Ky vendim erdhi pas informacioneve të marra për mungesë sigurie në Shkodër nëpërmjet burimeve të tyre të informacionit të siguruara vetëm disa ditë para. Mesa duket pikërisht atëherë kur po e studionin këtë aspekt ashtu si në çdo event tjetër ndërkombëtar ku siç dihet, masat e sigurisë të ndërmarra nga pala izraelite janë shumë të rrepta për arsye gjeopolitike që dihen…
-Në maj të vitit 2016 vlen të përmenden masat e forta dhe të pazakonta të sigurisë si në asnjë qytet tjetër të vendit për ruajtjen e Kryeministrit Edi Rama nga Garda e Republikës me rastin e përurimit të godinës së ri konstruktuar të Fototekës “Marubi” në pedonalen e Shkodrës. Atë ditë, për të kaluar në sheshin para bashkisë ku ndodhej Kryeministri, në të dyja anët e pedonales u vendos kontroll me check-in njëlloj si në aeroporte, jo vetëm ndaj kalimtarëve të rastësishëm por edhe ndaj drejtorëve rajonalë të mazhorancës, drejtuesve të Bashkisë së Shkodrës si dhe gazetarëve që do të merrnin pjesë në këtë event..
-Në pranverë të vitit 2018 në një nga lagjet periferike të Shkodrës një shpërthim i fuqishëm tritoli me telekomandë plagosi disa persona. Ndër këta të fundit rezultoi që të ishte plagosur i shënjestruari, një klient të rastësishëm si dhe një gazetare malazeze edhe ajo kalimtare e rastit. Arsyeja e këtij akti terrorist që mund të merrte jetë të pafajshme njerëzish, ishte se I shënjestruari kishte vite që vendoste gjoba lokaleve dhe bizneseve të asaj zone.
-Duke nisur nga muaji gusht 2018 e deri tani, në qytetin e Shkodrës janë ekzekutuar ë mënyrë profesionale dhe mafioze shumë persona për arsye hakmarrje, gjakmarrje, larje hesapesh për trafik droge dhe prostitucioni etj. E vecanta e këtij seriali vrasjesh është se autorët kanë qenë vrasës profesionistë me pagesë të importuar nga qytete të tjera të Shqipërisë dhe që në Shkodër nuk I njeh askush. Ndërkohë fuqia e zbulimit për këto vrasje mafioze ka qenë dhe mbetet zero sepse askush nuk është vënë para drejtësisë me fakte dhe prova.
PASOJAT NDER VITE
-Që prej 25 vjetësh dhe në vijim autobusët me turista që përshkojnë bregdetin e Dalmacisë deri në Mal të Zi bëjnë kryesisht vetëm një pasazh jo më shumë se 1-ditor në Shkodër vetëm sa për të vizituar Muzeun dhe Kalanë Rozafa.
-Duke nisur nga viti 1998 e deri të paktën në vitin 2010, ndoshta edhe me vonë , asnjë diplomat i Ambasadës së SHBA-së nuk ka fjetur në Shkodër por e ka marrë brenda ditës rrugën e kthimit në Tiranë, edhe në ato raste kur kishte në program më shumë se një ditë punë në Shkodër. Përjashtimin e vetëm për atë periudhë e pat bërë vetëm ish-Ambasadori i ndjerë Limpreht i cili pat ardhur i ftuar në një dasmë nga një punojnë shkodran i Ambasadës së SHBA-së në Tiranë . Të gjithë i mbajnë mend masat e rrepta të sigurisë që e shoqëronin 1-shin e diplomacisë amerikane gjatë një xhiroje në Piacë ku përreth tij ecnin të paktën 6 truproja të deklaruar me veshje antiplumb. Pa u zgjatur në masat që kishte marrë policia kriminale dhe organet e sigurisë nëpërmjet inspektorëve civilë në Shkodër..
-Që nga viti 2014, një numër i pacaktuar personash me dhe pa problem sociale nga ky rajon kanë shkuar që të luftojnë në Siri në krah të ISIS. Por ky rrjet ka operuar në mënyrë të sofistikuar falë lidhjeve të tij të hershme në rajon si dhe në fushën e logjistikës. Kështu këta persona nuk kanë mundur që të mbeten në sitën e organeve të sigurisë, siç kërkonte me të drejtë NATO, për faktin e thjeshtë se kanë udhëtuar drejt Sirisë me pasaporta të rregullta por të falsifikuara, duke përdorur gjeneralitete inekzistente, pra jo të tyret. Është kjo arsyeja që edhe numri i të rekrutuarve nga ISIS në Shkodër është vështirë që të përcaktohet pasi asnjë prej tyre nuk ka lënë gjurmë të identitetit të tij të vërtetë në sistemin TM.
ARBEN LAGRETA
SHKODER, NËNTOR 2023
*Autori është gazetar investigativ dhe Kryetar i Seksionit Shqiptar të Unionit Ndërkombëtar të Shtypit Frankofon (UPF) me qendër në Paris.
Lajmet A ka siguri ne Shkodër? >> Kosova.info. Shkruar nga: kosova