48 orë ndalesë për dy të dyshuarat për dhunë ndaj 3-vjeçarit në kopshtin në Fushë Kosovë

Policia e Kosovës ka ndaluar për 48 orë dy të dyshuarit për dhunën fizike ndaj fëmiut 3-vjeçar në kopshtin “Gëzimi ynë” në Fushë Kosovë.
Ndaj N.H. dhe N.M. është iniciuar hetim për shkak të dyshimit për veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.
“Pas përfundimit të fazës preliminare të veprimeve hetimore, me rekomandimin e prokurorit të shtetit, policia inicioi një hetim në drejtim të veprës penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, dhe me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit ndaj të dyshuarave N. M, femër, 64 vjeç, shtetase e Republikës së Kosovës, si dhe N. H, femër, 56 vjeç, shtetase e Republikës së Kosovës, u shqiptua masa e ndalimit prej 48 orësh”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Tutje Policia e Kosovës ka deklaruar se siguria dhe mirëqenia e fëmijëve mbetet prioritet i tyre.
“Njëkohësisht jemi të përkushtuar për të kryer një hetim profesional dhe të paanshëm, për të zbardhur të vërtetën dhe për të ndërmarrë veprimet e duhura bazuar në gjetjet e hetimit”, njofton tutje policia.
Lajmet 48 orë ndalesë për dy të dyshuarat për dhunë ndaj 3-vjeçarit në kopshtin në Fushë Kosovë >> Rahoveci INFO.