Gjenden mbetje mortore gjatë gërmimeve në Rahovec

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur (KQPZh) ka njoftuar se gjatë gërmimeve vlerësuese në lokacionin “Përzhina” në Rahovec janë gjetur mbetje mortore.Sipas njoftimit, pas rifillimit të punimeve të enjten, më 4 mars 2026, në këtë lokacion janë hasur pjesë kockore, të cilat janë zhvarrosur dhe dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore.Komisioni bëri të ditur se gjatë punimeve të zhvilluara dje janë evidentuar mbetje mortore që, sipas vlerësimit fillestar, dyshohet se i përkasin të paktën një individi.Megjithatë, numri i saktë i individëve dhe identiteti i tyre do të konfirmohen vetëm pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe analizave përkatëse, përfshirë identifikimin përmes ADN-së.KQPZh njoftoi se gërmimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, në koordinim me institucionet përkatëse, me qëllim ndriçimin e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

