Gëzim për 25 fëmijë në prag të Fitër Bajramit në Rahovec

Në prag të festës së Fitër Bajramit, Shoqata Humanitare “Bereqeti” – Dega në Rahovec, në bashkëpunim me Ndërmarrjen Tregtare “En Sharku”, ka organizuar një aktivitet humanitar për 25 familje jetimësh dhe familje në nevojë.
Përmes këtij aktiviteti, fëmijëve iu mundësua të zgjedhin dhe të pajisen me veshmbathje të reja, në mënyrë që festën e Bajramit ta presin me gëzim dhe dinjitet.
Buzëqeshjet dhe emocionet në fytyrat e tyre ishin dëshmia më e bukur e këtij gjesti solidar. Aktiviteti solli gëzim, shpresë dhe ngrohtësi për familjet që kanë më shumë nevojë për mbështetje.
Shoqata Humanitare “Bereqeti” – Dega Rahovec dhe Këshilli i Bashkësisë Islame në Rahovec shprehën mirënjohje të veçantë për Ndërmarrjen Tregtare “En Sharku” për bashkëpunimin dhe kontributin në realizimin e këtij aktiviteti bamirësie.
Falë këtij solidariteti, shumë fëmijë do ta presin festën e Fitër Bajramit me më shumë gëzim dhe dinjitet.

