OPINIONE

Produktet e mendjes në kohëra…

LEKË TASI

1.Fjala progres përkthehet në shqip me përparim, por në kohët moderne kur termat marrin nuanca e kuptime të ndryshme e deri të kundërta, janë rezultatet e çdo faktori veprues, instinktivë o ideorë, që na japin ndijimin se për çfarë malli bëhet fjalë realisht. Në shqip fjala përparim lidhet edhe me fjalën mbrothësi, e cila nënkupton mbarësinë. Kur themi mbrothësi ose mbarësi, ne presim që reformimet e shoqërisë të sjellin përmirësime mbi bazën e vlerave të pranuara që prej gjithmonë në Evropë.

Kjo pritshmëri nuk u vërtetua, ajo u shkel në çastin kur revolucioni francez e hoqi krishterimin nga piedestali duke u prerë kokat përfaqësuesve të tij, dhe njëherazi i përligji këto veprime si të ishin flijime të doemosme që i bëhen arsyes, të cilën e vendosi solemnisht si hyjni! Simbolet janë thelbi i realitetit jo vetëm për besimtarët po edhe për dijetarë të të gjitha kohërave, ndaj hapat që bëri revolucioni me atë rast në sallën e Asamblesë Kushtetuese, do të gjykoheshin nga krahu i djathtë si rebelim i hapur ndaj rendit botnor, kurse nga i majti si fitore e njeriut mbi errësirën. Situata e krijuar vijoi me gjyqe të improvizuara që aplikonin dënime kapitale pa prova fajësie, veç me vullnetin e shumicës. Me përfundim terrorizimin edhe të kësaj shumice dhe kokëprerjen edhe të nismëtarëve Jakobinë, gjë që kaloi në histori si një episod nga të shumtit e botës që ka këtë dialektikë, të një përmirësimi me anë të konflikteve.

 

Këtij modeli i ngjitën formulën liri-barazi-vëllazërim. Po i lëmë komentet që ka pasur kjo formulë, si kontradiktore brenda vetes, por fakti që edhe pse e dyshimtë, u trajtua si ideale, hap shumë probleme edhe në dritën e asaj që erdhi më pas. Pikësëpari, rendi i ri u vendos jo mbi gjakun e heronjve, siç kish ndodhur në të kaluarën, por mbi atë të viktimave (mbret, kler e të vet terrormbjellësve) gjë që të çon ta krahasosh me një masakër mes keqbërësish. Jo se ata ishin ish-të tillë, por sepse kishin adoptuar urrejtjen si armë politike dhe lumpenin parizian si bazë mbështetëse. Që t’i biem shkurt, kjo taktikë u pëlqye në brezat trashëgues të socializmit revolucionar si shumë praktike (imponohu me vrasje!) dhe meqë ajo mori hov botnor me miliona të masakruar, kuptohet pse dhe si shtetet e atij sistemi, përdorën një propagandë si kurrë ndonjëherë për t’i dhënë prestigj, aq sa u birësua edhe nga e djathta e atij formimi por me retorikë ndryshe. “Sovraniteti!” – parulla e betejës, për konservatorët dritëshkurtër dhe për aventurierët që kanë kapur një shtet dhe një seli në OKB. Ka ardhur pra ora që për të shpëtuar botën nga mafia me kollare, të thjeshtohet pluralizmi formal dhe të merret vesh ç’përfaqëson secili aktor o faktor.

Një “Who’sWho”, që me një bankë informacioni të sigurt, të përballet me internacionalen e terroristëve këtë radhë, ashtu si Interpoli ç’prej disa dekadash. A ka të drejtë Bota e Lirë, siç quhej gjatë Luftës së Ftohtë, ose NATO sot, ose SHBA me Presidentin Trump në krye, të bëjë këto veprime të njëanshme që ngjajnë sabotuese të këshillimit ndërkombëtar, me agjencitë e tij dhe këshillimet periodike të G7 ose Davos? Përgjigjet mund t’i gjejmë mendoj tek raportet ndërmjet anëtarëve të Aleancës Veriatlantike, që me kontradiktat e shtuara ka nxjerrë në shesh heterogjenitetin kulturor dhe të parimeve mes tyre. Ka mbaruar koha e homogjenitetit të aleancës më prirjen e Europës për të mbetur pre e pakënaqësive ndaj L2B dhe simpatisë për revolucionin në mënyrën e jetesës që s’ka asnjë ndjenjë për të shenjtën. Nga ana, tjetër strategjia botërore kërkon ndan superfuqitë në filozofi të ndryshme dhe të kundërta. (Një rast kontradikte themelore : Hong Kongu ku u shkel fjala e dhënë, dhe Taivani ku SHBA s’mund të durojë përsëritjen e turpit). Del pyetja pse ndodhi kjo, dhe pse edhe pse e suksesshme për më shumë se 100 vjet, ideja revolucionare po deklinon në ditët që po jetojmë. Shkaku i ngadalshëm që del veprues është te fakti se çdo ngjarje gjen pasqyrim në media dhe sot janë shtuar maksimalisht personat që, nga të painformuar kthehen në kureshtarë dhe madje në aktivistë.

Informacioni dhe komentimi po hapin tema mbi çdo gjë, kështu kontradiktat bëhen më të njohura, madje duke u reduktuar në ato themeloret. Ky është momenti i hyrjes në fokus i simetrisë së plotë dhe ballazi: Ideologji e majtë e dhunës vs Krishterim i të Pafajmit që i ofrohet flijimit. Shkurt, veti e informacionit të zgjeruar në të cilin jetojmë, po bëhet katalizator i daljes në dritë i vlerave që afirmohen me anë vetëkorrgjimi dhe e rrëzimit të atyre që flijon tjetrin dhe promovohet me mashtrime. Nuk është aspak rasti për të thirrur fitore. E Majta ka siguruar autonomi të gjatë, me anën e një lirie tjetër, binjake të lirisë civile, por shumë të rrezikshme. Liria civile mori përpjesë falë revolucionit dhe fushatave napoleoniane, kjo nuk mohohet, por shkëputja nga zotnia feudal, u shoqëria me shkëputje edhe nga prifti konfesor, gjë që tjetërsoi me kohë zakonet dhe zbehu jetën familjare qytetare.

Tjetërsimi ka karakter hibrid, e nisën aristokratët siç dihet, dhe e përgjithësoi filozofia sipas natyrës ndër ata që e përqafuan, me rezultat shtimin e divorceve dhe shtirjen hipokrite brenda raportit martesor dhe licenca të çdo lloji te masa qytetare. Ndaj nuk do të ndryshojë në këtë pikë Europa, sado të luftojë kundra majtizmit ekonomik tashmë shterp dhe tërësisht dorëheqës. Kësisoj, Revolucioni mbetet konsistent në tiparin kryesor të tij që po zbulohet si mbiklasor pra i kudopranishëm tek indiferenca e kërkimit të kënaqësisë. Nuk janë klasat që luftojnë mes tyre, por janë të ngjashmit që shqyhen reciprokisht për plaçkën që bëhet përmes dhunës dhe formave të tjera të saj.

Asnjë zbutje në sjelljet koloniale falë ose për hir të moralit revolucionar s’do të regjistrohej në kronikat frënge dhe evropiane, zbutja do vinte vetëm falë dhe për hir të veprimtarëve të të Vetëflijuarit. Dhe duhet shënuar që rreth aktit rebelues revolucionar që shkundi zgjedhën e fesë, u mblodhën në mbështetje të tij një shumicë njerëzish të shquar, kundra të cilëve kemi vetëm masën fshatare që, si jo e mprehtë, por e thjeshtë, i rri larg dhunës, deri edhe asaj të nevojshmes, pale asaj të frymëzuar prej ideve blasfeme, të cilat si besimtare, i quan punë të djallit. Kemi kështu në Evropën e kristianizuar prej rreth 1, 5 mijë vjetësh një ndarje vertikale të rreptë mes palës së sekularizuar që aderon në liri mendimi e ateizëm dhe anës besimtare pro kishës dhe mbretit të vajosur prej saj. Të dyja palët, megjithëse bashkëjetojnë, optikat i kanë sigurisht të kundërta, njëra i sheh gjërat si të mallkuara, për karakterin jo vetëm rebelues, por edhe antihuman të tyre, tjetra i gjykon dhe zhvillon pikëshikime që do sjellin ndryshime por pa prekur trendin materializues të tij sepse autorët kanë humbur kontaktin me themelin e vjetër të kontinentit.

Vjen pyetja si ndodh që një pjesë e madhe e shoqërisë që mbajti qëndrime neutrale ose në favor pushtetit revolucionar, u reduktua në masë gri kur ai maturoi frytet që kish në program, në dëm të të gjithëve? U kujtuan që kishin qenë të pranishëm, por pa fytyrë, figurantë të ngrirë kur duhej të reagonin? Kjo kategori njerëzore, vërtet masive, përshkon historinë njerëzore në çdo epokë dhe përbën një gur solid, ose një plis të lagësht që i lejon të ligut të kalojë pa u lagur. Dhe s’mund të identifikohet me kategorinë e besimtarëve ose të fshatarësisë, sado të butë që ishin. Sepse kjo e fundit, si e pafuqishme, pa mjete e tërësisht nevojtare, ka mbajtur peshën e të gjithëve me punën e saj, dhe u ngrit në revoltë vetëm kur i hoqën bukën e prodhuar vetë (Ukrainë 1934), për të pasur pastaj në këmbim fëmijët e saj kockë-lëkurë, të hedhur nga treni në stepë (Arqipelagu GULAG). Fjala është pra për ata që gënjehen me një siguri fiktive brenda oborrit personal dhe harrojnë fqinjin. Mendje e pa busull sajë kulturës së re të majtë që kishte plot arsye dhe mundësi të kthehej te tradita dhe nuk e bëri. Ajo paralizë e ktheu në të pangjyrë. Dhe për pasojë duroi tërë devijimin e së majtës evropiane në praktika kriminale. Nuk do të thonë të gjitha këto se s’ka pasur krime dhe paligjësi në Evropë para dhe mbas shkarjes së majtë, as mungesë përqendrimesh besimi dhe alternativash.

Evropa post-revolucion paraqitej si një paciente konvaleshente, por e fantaksur pas fitoreve të saj të infektuara në afat të gjatë. Orvatjet si ajo e Kongresit të Vjenës në njërin drejtim (konsolidim i monarkive) dhe ajo e letërsisë në drejtimin tjetër (alarm për të ardhmen) s’mund të gjenin audiencën minimale për veprim. Monarkët të mbushur me veten e tyre, popujt në pështjellim prej ideve, nuk po dilnin në botë kushte për veprime rithemeluese veçse në kontinentin e ri (Philadelphia 1776). Rezultat i bonsensit dhe devocionit të klasës fshatare që jeton me tokën dhe me punën fizike (në sens të gjerë). Ndërkohë që në Evropë çdo mbeturinë mirësie dhe solidariteti që shfaqeshin spontanisht mes qytetarëve, do t’i ndajshkruheshin rendit të ri ateist, kurse të drejtat e njeriut, e drejta e devocionit së bashku me atë të familjes do të sabotoheshin prej frymës së re liberale dhe më pas me vërshimin e propagandës së kudondodhur të seksit. Sikundër e drejta e sovranitetit, një e drejtë kufomë tanimë kur dragonj të stërmëdhenj sillen të kapin ç’të munden, s’ka si mbrohen me gratë prej sovranësh, tërësisht invalidë në dallimin e rrezikut prej nga vjen, të zhytur siç janë në norma të së kaluarës. Komunitetit ndërkombëtar i duhet një udhëheqje shumë më e aftë se OKB e dobësuar nga mirësjellja dhe oportunizmi përballë pretenduesve me ekonomi në ekspansion.

Duhet një lidership botnor që do ta ruante vetë pronarin sovran, siç ka bërë në mjaft raste pikërisht në Arktik, po edhe gjithë botën nga sistemet autoritare brenda tyre e me kërkesa barazie jashtë tyre. Kemi si rrjedhojë edhe një front të brendshëm në BE, e cila lëshon ngacmime të tilla vicioze të veshura si legaliste, ngacmime që po i pëson brezi aktual i politikës i shekullit XXI, me hakërrime të improvizuara fuqish ku e ku më të avancuar amerikane, që mbas pak të pajtohen turivarur. Pretekstet e saj janë të vjetra, anakronike dhe antihistorike. Kjo sepse banojnë akoma në post-revolucion dhe në fryrjen sovraniste, dy skaje që përplasen pa farë dhimbje në mendjet e tyre, meqë politikanët si produkt i shoqërisë, kanë zbehur e deri zhdukur tiparin kardinal të vetëdijes së trashëguar nga gjenitë e filozofisë dhe të artit të madh evropian, cilido pastë qenë adresimi i tyre botëkuptimor, ose preferojnë ndoshta disa të tjerë, minorë, nga showmenët e aktualitetit… Kjo harresë e traditës 17-shekullore të Evropës, sjell në sipërfaqe dobësi alarmante, siç janë të konfondosh germën e ligjeve me frymën e drejtësisë, perspektivën e afërt me fatin e planetit, komoditetin personal me paqen. Dhe nuk preludojnë për gjë të mirë.

Sepse pikërisht prej atij sovranizmi i të akomoduarit dje me mbrojtjen gati falas të NATO-s, realitete si ai i Venezuelës ngritën kokë, dhe bashkë me to edhe ndjeshmëria matufe e sovranitetit që dëshmon për tërheqje mbrapa dhe mungesë vizioni perspektiv. Karakasit iu desh thjesht një dezinfektim policor për të ndalur infeksionin më tej. Kurse njerëzit e thjeshtë, që vazhdojnë të kenë probleme me jetesën të paprera qysh me luftën, e ruajnë të gjallë gjyqin që u erdhi krerëve shkaktarë të kaq miliona jetëve të humbura me anë të diktaturave vrasëse që nxori mendja e tyre, kujtojnë psh., fundin e Leninit me një sëmundje të rrallë, e me radhë të Trockit, të Hitlerit, të Stalinit, e gjithë atyre që mbajtën në këmbë kampet e tmerrit. Kjo pjekuri tërëkohore e të thjeshtëve, e pazëshme kundrejt protagonizmit të diplomatëve dhe qeveritarëve që udhëhiqen nga “interesat e atdheut” me po atë zell të pandryshuar si deri dje (sepse si të rinj janë dhe të pavrarë sa kategoria e të thjeshtëve), është kjo pjekuri që përbën ndoshta një nga motivacionet e planit për paqe matanë Atlantikut, me një nënstrukturë njohëse të orës së fundit. T’i mbash para syve ato dëshira, është të mbash lidhje me realitetin e thellë të gjërave.

-2. Mbi ç’fakte bazohet progresi që gëzon këtë respekt të përgjithësuar? Mbi Piemontin që dhunon brutalisht Jugun e Italisë po aq të zhvilluar dhe e fshin nga historia? Mbi shfrytëzimin e tjetrit, nëpër koloni po edhe në metropole e që fiton kredi si e nevojshme për ekonominë, por edhe për mbrojtje, duke i quajtur mbrojtëse edhe sulmet më të egra që synojnë hapësirën vitale? Për t’u mbyllur gojën objeksioneve morale, mendimi i lirë adoptoi kriterin e kompleksitetit, ku hynte gjoja edhe emancipimi i periferisë së botës si përfitim, por pa pyetur për ç’mjete përdoreshin për t’i “emancipuar” ato popullsi. Vetëm mbas njëqind vjet ndryshimesh në mjetet e komunikimit dhe të gazetarisë, do të delte emri i mbretit Leopold II pranë atij Xhenxhing Khanit në rreshtin e vrasësve serialë. Një kompleksitet ky që i përfshinte gjithë faktorët e mundshëm bile me krishterimin në krye, por që afishohej me kryqet me diamante në gjoks të dekoratave e jo me frymën e tij.

3. Nga ana tjetër edhe masat, si të thjeshta që janë kanë qenë dhe mbeten të hutuara ndaj shndërrimeve që sjell aktualiteti në çdo epokë. Ato ndjekin pasivisht fituesin, por po ta shohim nga afër zemrën e tyre, ato gjejnë siguri tek personat e afërt, dmth., familjarët dhe në vetë familjen si institucion; kurse të mprehtët vështrojnë larg për të realizuar planet e tyre, vendet ku nuk njihen, me shpresë se atje do të bjerë e do mbijë fara që hedhin, si një vizion shpresëdhënës, bile shpëtimtar, edhe pse shpesh, shumica e tyre e ndjejnë që ato ide janë thjesht një kimerë, madje taksirat për brezin që iu maten.

Përse duhen luftërat sot kur bllokada ekonomike për Aparteidin e me radhë të tjera dha fryte pa shkrepur armët? (A nuk e ka në përdorim edhe Trump këtë armë të ngadalshme dhe më të mprehtë në dekonstruktimin e asaj që vret?) Megjithatë, vonon të bjerë kokëngjeshja ideologjike e të Majtës së falsifikuar, që kërkon të mbajë në fuqi heshtazi dhe në formë psikoze evidencën se masakrat dyshekullore janë thjesht ‘firo legale të një historie përparimi’. Sot ajo del në mbrojtje të imigracionit të paligjshëm ose i vë shkopinj në rrota paqes të mezi arritur në Lindjen e Mesme. Sepse shpresa e vetme e saj është nacionalizmi, bile sa më demode, që ka akoma ca vota t’i ofrojë. Me një fjalë, forca më ‘progresiste’, orvatet ta kthejë mbrapa debatin dhe ta ‘pasurojë’ atë me gjithfarë kauzash veç për të ekzistuar përballë qeverive që kanë gjetur mundësinë e përmirësimit ekonomik pa luftë sociale dhe po e arrijnë dita ditës.

Votimet plebishitare SHBA në Itali po edhe në Shqipëri që prej një dekade e këtej janë rezultat i këtij evidentimi të pamëshirshëm, që nxjerr lakuriq parti e politikanë që mjaftohen me pushtetin dhe e bëjnë spektakle për t’u dhimbsur e për ta ruajtur; ato tregojnë se ka pushuar së ekzistuari rreshtimi historik i majtë i djathtë, që u dha koperturë deri vonë të dështuarve që bënë politika servile brendaevropiane e që sot po zbulohen si varfëronjëse. Prandaj nuk duhet habitur që janë të zemëruara ato të Tiranës, sepse më keq se këto janë ato të Evropës, madje më keq ato të Amerikës, sepse atje ka një traditë civile më të gjatë që shkelet dhe ka reagime që u bien në kërcu. E Majta e falimentuar me kolapsin e komunizmit, përpiqet të ruajë elektoratin e saj të dikurshëm duke u kthyer në nacionaliste dhe anti-amerikane. Kështu pacifizmi i saj i drejtë në prag të L1B, që i kushtoi jetën Zhoresit, sot ka përqafuar nacionalizmin dhe antiamerikanizmin, bash në momentin që SHBA fton gjithkënd të kontribuojë për paqe në çdo pikë të nxehtë të botës.

Të Majtët e zbutur gjatë Luftës së Ftohtë dhe mbas, tërbohen që del e Djathta në përpjekjen pro paqes dhe e arrin, prandaj mundohen ta sabotojnë me protesta dhe ç’është më e rrezikshmja, me përkrahje të terroristëve. Kështu nxjerrin në shesh pa e kuptuar, që politikani s’mund t’i shërbejë klasës së vet duke i servirur objektiva të vjetruara, që klasa s’i ndjen më. Ata po demaskohen përditë nëpër ballafaqime publike, sepse si të majtë, duhet ta kishin gjetur të parët këtë rrugë, prandaj shohin veten të përjashtuar nga skena me atë përzierje komoditeti që bartin me ekstremistin e improvizuar që marrin dhe nuk u shkon. E njëjta lojë luhet kudo në demokracitë e mplakura, dhe sigurisht edhe tek ne ku populli të ndjek i heshtur dhe me durim, por nuk i mbushet mendja vetëm me akuza pa fund dikujt që i përgënjeshtron përditë me realizime…. Ai moment i kritikës së pamëshirshme ka ardhur dhe është i sotmi. Gazetat kanë zënë vendin e historianit (të cilit i duhet një farë dekantimi) dhe janë plot me baltën që u është hedhur të merituarve për ato vlera dhe bën gjithashtu edhe analizën e kritikës prej se përbëhet ajo baltë. Pa hequr këtë nyjë në krehër s’ka histori të vërtetë dhe këtë detyrë po e bëjnë profesorë të shquar si Alessandro Barbero.

Ky rigjallërim spiritual ndodh falë energjisë tjetër tradicionale që njeh ritme më të fshehta në periudhën dymijëvjeçare dhe ngjitet lart për t’ia instaluar figurave të saj politike forcën argumentuese me përulësinë dhe me një indinjatë të ndier, por pa urrejtje, që jo çuditërisht po i pëlqen elektoratit. Shembull i shkëlqyer Giorgia Meloni në Itali. Se si doli papritmas kjo Evropë ndryshe, u kuptua nga lodhja me diktatin e unifomizimit që u dashkësh zbatuar nga të gjithë për të pasur unitet. Konkretisht, Hungaria dha sinjalin e zgjimit dhe u pasua nga të tjerë. Ndryshe nga Brukseli që u mrrol, Washingtoni e pranoi dhe e miratoi! Kjo habiti shumëkënd, por kjo do të thotë që ndryshe nga lufta që do bashkim monolit, paqja do që secili të shprehë veçantitë e tij. Kësisoj uniteti në larmi po fiton terren mbi mendjet e kufizuara, dhe është kënaqësi të shohësh Shqipërinë ndër të parat që e kuptoi madje e nxiti. Sot ajo merr ftesën për bordin e organizmit të paqes në Gaza, një hap i shkëlqyer i politikës Trump, i pritur me entuziazëm të heshtur nga elektorati ynë dhe me objeksione nga një pjesë analistësh. Është rasti të bëjmë dallimin mes intuitës së masave kur fryn erë paqeje dhe aftësisë spekulative të intelektualëve në analizën e eventit në vetvete. Historia e paqes në botë është e varfër, kurse ajo e luftës është e pasur. Por paqja pritet me dëshirë nga njerëzit e thjeshtë veçanërisht, sido që të vijë. Ajo analizohet disa muaj mbasi të vendoset. /Gazeta Panorama 

Related Articles

Back to top button
error: Content is protected !!