Shqiptari, kjo specie në zhdukje të lirë
Ose: Si e keqkuptuam të qenit e v r o p i a n?! – Kosova dhe Shqipëria po zhduken. Kemi disafish më shumë emigrim se para 30 vjetësh, kemi më se dyfish më pak lindje. Të rinjtë që nuk po ikin jashtë shtetit, po bëjnë vetëm 1.5 fëmijë për çift, jomjaftueshëm për ta riprodhur vetveten. Kush ka faj?
A E KEMI KEQKUPTUAR idenë e të qenit evropian? Fatkeqësisht, duket se po. Në këto 30 e kusur vjetët e fundit, kur kemi filluar të flasim gjithnjë e më tepër për shqiptarin si pjesë e familjes evropiane, në Kosovë dhe në Shqipëri, nuk jemi treguar gjithaq të zotë si kolektivitet me – ironikisht – vetë familjen.
Individualisht, ndoshta – po. “Integrimin në Evropë”, duke nënkuptuar BE-në, e kemi bërë më shumë në dy mënyra. E para, duke emigruar në shtetet e Evropës Perëndimore. Dhe, e dyta, duke u bërë “evropianë” me natalitet. Me tkurrje. Me zvogëlim.
Për të parën është folur më dendurisht. Rreth 2.5 milionë shqiptarë llogaritet ta kenë lëshuar Kosovën dhe Shqipërinë për të jetuar në Perëndim nga fillimi i viteve ’90. Këta 2.5 milionë nuk e kanë pritur Evropën të vijë te ne, por kanë shkuar vetë aty ku është ajo.
Por, përtej shifrave që vazhdojnë të jenë alarmante për nivelin e emigrimit nga dy shtetet tona, që viteve të fundit sillen në rreth 40 mijë qytetarë në vit si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, “evropianizimi” tjetër është ai i heshturi.
A DINI ÇKA KA ARRITUR Kosova dhe Shqipëria ta bëjnë për rreth 30 vjet, por që shteteve të Evropës Perëndimore iu ka nevojitur rreth 70 vjet? Po, në diçka i kemi kaluar më se dyfish Gjermaninë, Francën, Belgjikën e të tjera. Përgjigja është: Natalitet!
Shoqëritë tona sot e kanë kapur trendin brengosës evropian. Jemi shoqëri drejt tkurrjes dhe eventualisht – zhdukjes. Zhdukjes demografike.
Në vitet ’90, një grua në Kosovë lindte mesatarisht 3.6 fëmijë. Sot, kjo shifër është rreth 1.5.
Në Shqipëri, ishte 3 fëmijë. Tash është njëjtë si në Kosovë – rreth 1.5.
Sidomos ne në Kosovë, dikur krenoheshim se ishim shumë përpara popujve të tjerë të Jugosllavisë me numrin e fëmijëve. Popullata më e re, mburreshim. Tash jemi baraz edhe me fiqnjtë tanë të parë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në fillim të të ’90-ave, Serbia kishte 1.9 fëmijë për një grua, Maqedonia 2.6; tash të dyja janë aty-aty me ne, me rreth 1.5 fëmijë.
Shqiptarët më nuk po e zëvendësojnë vetveten. Dhe popujt që nuk e zëvendësojnë vetveten, i bie që janë si malli me datë skadimi. Dikur i del afati.
Dhe kjo po ndodh nën sytë e klasave politike që ose janë të paafta ta kuptojë problemin, ose tepër të zëna me “çështje më të rëndësishme” për shqiptarët se sa mbijetesa e shqiptarit.
I kemi parë edhe në fushatat e fundit zgjedhore të flasin shumë për sh t e t i n, për reforma e zhvillim, integrime dhe ekonomi, familje dhe fëmijë… por që zakonisht mbeten vetëm pjesë e paraqitjeve të bukura televizive. Pak ose aspak diçka konkrete, as buxhet, as program, e – aq më keq – hiç urgjencë.
Shpesh duke harruar se shtet pa njerëz nuk ka.
PËR KOSOVËN ÇFARË vlere do të ketë sovraniteti, njohjet ndërkombëtare, flamujt e himnet, nëse do të na ndodhë që nuk do të ketë kush t’i trashëgojë? Trendi tridhjetvjeçar është i qartë dhe nëse vazhohet ëshë për 30 vjet të tjera, atëherë Kosova do të jetë edhe më e vogël, edhe më e vjetër edhe më e varfër. Nëse na ndodhin të gjitha këto, do të thotë se një Kosovë e vogël, e moshuar dhe e varfër do të shkojë duke u bërë gjithnjë e më e parëndësishme politikisht. Është afekt zingjiror. Kur ka më pak fëmijë i bie të ketë më shumë të moshuar. Me më shumë të moshuar i bie më pak punëtorë. Me më pak punëtorë i bie më pak kontribues në buxhet, rrjedhimisht barrë më e madhe sociale.
Kur të kalkulohet kjo pamje del se një Kosovë që tkurret bëhet më e dobët ekopnomikisht, me e cenueshme politikisht dhe në fushën e mbrojtjes dhe, si përfundim, më lehtë për t’u injoruar ndërkombëtarisht.
Se fundi i fundit, nuk mund të ketë asnjë ushtri ose aleancë ushtarake, nuk mund të ketë as diplomaci që mund ta kompensojë themeloren – mungesën e popullit.
Dhe për këtë nuk na ka faj askush nga jashtë. “Fajtorë” jemi vetë, si shoqëri që zgjedhim udhëheqës të programuar të mendojnë vetëm elektoralisht në cikle zgjedhore dhe jo me vizion për të ardhmen. Nuk kemi të bëjmë këtu me “fat historik”, por me dështim politik. Shtet që plaket para se të “normalizohet”. Me të rinj që ose ikin, ose kur vendosin të rrinë, nuk lindin mjaftueshëm fëmijë sa për ta riprodhuar vetveten.
DHE, SAKTË, DUHET kërkuar përgjegjësi, se dikush duhet të mbajë përgjegjësi. Ne jemi popull i vogël. Nuk e kemi luksin e gjermanëve dhe francezëve. Ata thujase e kanë të pamundur të arrijnë të tkurren në nivelin tonë, e ne e dimë se përgjatë historisë ka plot popuj që janë zhdukur.
Secili vit që kalon më nuk kthehet. Fëmijët nuk janë mall që mund të kompensohet në raft kur të vijë furnizimi i ri. Shifrat ka kohë që janë alarmante, por deri tash duket se askush nuk po ka kohë t’i kuptojë dhe të veprojë.
Nëse edhe në vitet e ardhshme nuk ndryshon asgjë, atëherë s’kemi pse të çuditemi: klasat shqiptare politike në Kosovë dhe Shqipëri e kanë konsumuar të ardhmen e popullit të tyre.
Dihet se kush duhet ta bart peshën e kryqit. Ata që na kanë kërkuar t’i zgjedhim për të na udhëhequr. Dhe ata gjithmonë kanë edhe emër, edhe mbiemër.
Twitter: @adriatikk



