RAHOVECI

Rahoveci dhe ligji i veçantë

Në Komunën e Rahovecit, që nga viti 2017 është krijuar një praktikë e përsëritur politike, ku subjekti që udhëheq komunën, në çdo cikël zgjedhor parlamentar apo lokal, premton shpalljen e Rahovecit si zonë të veçantë dhe miratimin e një ligji të posaçëm për komunën. Ky premtim është shndërruar në një element që ripërsëritet vazhdimisht, me ndryshime të vogla kontekstuale. Në vitin 2017, kur nisën për herë të parë këto premtime, ato përfshinin edhe zhvendosjen e Fakultetit të Bujqësisë në Rahovec, si dhe disa zotime të tjera. Megjithatë, me kalimin e kohës, premtimi për fakultetin është zhdukur gradualisht nga fjalori elektoral.Në ligjërimet dhe arsyetimet e tyre gjatë tre palë zgjedhjeve të vitit 2025, akterët politikë theksojnë se nevoja për një ligj të veçantë për Komunën e Rahovecit është e domosdoshme për shkak të karakterit të saj bujqësor dhe potencialit zhvillimor. Sipas tyre, një ligj i tillë do të mundësonte:🔹️ mbrojtje dhe mbështetje të drejtpërdrejtë shtetërore për fermerët;🔹️ mbrojtjen e tokës bujqësore dhe ndalimin e shndërrimit të saj në tokë ndërtimore;🔹️ përfitimin e skemave të veçanta mbështetëse për fermerët dhe prodhuesit, përfshirë subvencione dhe grante për zhvillimin dhe modernizimin e aktiviteteve bujqësore;🔹️ zhvillimin e infrastrukturës bujqësore, si rrugë fushore, sisteme të ujitjes dhe sisteme pikë-pikë;🔹️ ofrimin e lehtësirave fiskale për përpunuesit e produkteve bujqësore;🔹️ certifikimin dhe licencimin e brendeve që vijnë nga kjo zonë;🔹️ promovimin e produkteve bujqësore të Rahovecit në tregjet vendore dhe ndërkombëtare.Duke parë pikat që pretendohet të trajtohen në ligjin e veçantë për Rahovecin, lind pyetja nëse këto çështje tashmë mbulohen nga legjislacioni dhe politikat publike në Kosovë. Hulumtimi tregon se territori i Rahovecit menaxhohet kryesisht sipas legjislacionit të përgjithshëm dhe dokumenteve strategjike komunale, të cilat rregullojnë menaxhimin e tokës, ujërave, mjedisit dhe zhvillimit në komunë.Çështjet e ngritura nga përfaqësuesit lokalë trajtohen kryesisht nga ligjet e mëposhtme, dhe në përgjithësi zhvillimi dhe organizimi hapësinor në komunë rregullohet përmes këtyre ligjeve:• Ligjin Nr. 02/L-26 për Tokën Bujqësore,• Ligjin Nr. 04/L-62 për Fshatin Hoçë e Madhe,• Ligjin Nr. 08/L-137 për Pyjet,• Ligjin Nr. 04/L-174 për Planifikimin Hapësinor,• Ligjin Nr. 03/L-025 për Mbrojtjen e Mjedisit,• Ligjin Nr. 04/L-147 për Ujërat e Kosovës,• Ligjin Nr. 03/L-214 për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis,• Ligjin Nr. 06/L-092 për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës,• Ligjin Nr. 08/L-208 për Parqet Industriale dhe Teknologjike,• Ligjin Nr. 08/L-072 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural,• Ligjin Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale,• Ligjin Nr. 05/L-051 për Treguesit Gjeografik dhe Emërtimet e Origjinës.Përveç legjislacionit ekzistues, Komuna e Rahovecit ka miratuar dokumente dhe vendime strategjike që synojnë orientimin e zhvillimit afatgjatë dhe menaxhimin e hapësirës komunale. Këto përfshijnë planifikimin urban, mbrojtjen e tokës bujqësore dhe rregullimin e zonave mjedisore dhe ekonomike, përmes:✅️ Planit Zhvillimor Komunal (PZHK);✅️ Hartës Zonale Komunale (HZK), e cila aktualisht është në proces të miratimit;✅️ Zonës së mbrojtur të Kanionit të Drinit të Bardhë, një aset i rëndësishëm mjedisor dhe natyror për komunën.Shumë nga çështjet që përmenden si arsye për një ligj të veçantë për Rahovecin tashmë janë të rregulluara përmes legjislacionit ekzistues dhe dokumenteve strategjike, duke treguar nevojën për një analizë më të thelluar mbi domosdoshmërinë reale dhe vlerën e shtuar të një ligji të ri. Çdo ligj efektiv duhet të ofrojë rregullim të qartë dhe të kuptueshëm, duke respektuar Kushtetutën, marrëveshjet ndërkombëtare, logjikën juridike dhe zbatueshmërinë praktike, si dhe duke ruajtur efikasitetin ekonomik.Sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, një grup parlamentar ose së paku gjashtë deputetë kanë mundësi të marrin iniciativë për një ligj. Duke pasur parasysh se subjektit politik që udhëheq Komunën e Rahovecit nuk i kanë munguar këta deputet, bëhet e qartë se proklamimi i ligjit të veçantë nuk ka pasur karakter serioz, por ka shërbyer vetëm si premtim elektoral dhe për konsum ditor politik.Në vijim do të trajtojmë vetëm tre ligje, me të cilat shihet qartë se pretendimet e proklamuesve të ligjit janë të zbatueshme dhe tashmë të rregulluara me ligjet në fuqi. Problemi real nuk qëndron te mungesa e ligjeve, por te zbatimi i dobët i tyre në praktikë.✔️ Ligji për Planifikimin Hapësinor jep kompetenca të plota komunave, përfshirë Rahovecin, për mbrojtjen e tokës bujqësore dhe ndalimin e shndërrimit të saj në tokë ndërtimore, përmes dokumenteve planifikuese si Plani Zhvillimor Komunal dhe Harta Zonale Komunale. Problemi nuk qëndron te mungesa e kornizës ligjore, por te zbatimi i dobët i saj, pasi raportet e Drejtorisë së Urbanizmit tregojnë se ndërtime të paautorizuara vazhdojnë edhe pse ligjet ekzistojnë. Prandaj, miratimi i një ligji të ri për këtë çështje nuk adreson problemin real dhe zhvendos përgjegjësinë nga institucionet komunale te krijimi i një kornize formale pa efekt praktik.✔️ Ligji Nr. 02/L-26 për Tokën Bujqësore siguron mbrojtjen e tokave bujqësore, duke përfshirë zonat e komasacionit në Rahovec si Bellacerkë, Xërxë, Celinë, Dejnë, Dabidol, Çifllak, Kramovik dhe Krushë e Madhe. Ndërtimet në këto toka janë të ndaluara, por realiteti tregon se problemi kryesor qëndron te zbatimi i ligjit dhe regjistrat kadastralë të paplotësuar. Kërkesa për një ligj të ri nuk shton asnjë mbrojtje të re, por fokusohet në formalizim pa efekt praktik, duke harruar përmirësimin e zbatimit të kornizës ekzistuese.✔️ Ligjin Nr. 08/L-072 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, skemat e subvencioneve dhe pagesave direkte janë kompetencë ekskluzive e nivelit qendror, të rregulluara nga Ministria e Bujqësisë dhe Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë (AZhB), sipas standardeve të BE-së dhe instrumenteve si IPA/IPARD. Skemat e subvencioneve dhe programeve mbështetëse janë uniforme dhe transparente për të gjithë vendin, dhe fragmentimi i tyre përmes ligjeve komunale do të cenonte barazinë, koherencën ligjore dhe harmonizimin me acquis-in evropian. Kërkesa për ligje të veçanta territoriale nuk adreson boshllëqe reale, por krijon precedent të rrezikshëm dhe zhvendos fokusin nga përmirësimi i zbatimit të programeve ekzistuese.Në përfundim, insistimi për miratimin e një ligji të veçantë për Komunën e Rahovecit nuk burojnë nga mungesa e ligjeve, por nga dobësia e kapaciteteve institucionale dhe mungesa e vullnetit për zbatimin efektiv të ligjeve ekzistuese dhe përdorimin e mekanizmave shtetërorë si thirrjet publike, grantet dhe programet mbështetëse. Pa veprime konkrete dhe rezultate të prekshme, ky diskurs shërben si alibi politike, duke krijuar perceptimin e rremë të një “zgjidhjeje magjike” për problemet lokale. Qasja e tillë është jo vetëm juridikisht dhe logjikisht e papranueshme, por edhe politike, pasi e zhvendos vëmendjen nga dështimet reale në qeverisje, stagnimin zhvillimor, mungesën e investimeve, dobësitë infrastrukturore dhe emigrimin, të cilat kërkojnë zbatim të ligjit dhe politika reale zhvillimore, jo premtime simbolike.

Related Articles

Back to top button
error: Content is protected !!