Kurti: Vrasja e Smajl Hajdarajt mbetet e pazbardhur edhe pas 24 vitesh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 24-vjetorin e vrasjes së deputetit të Kuvendit të Kosovës dhe veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Smajl Hajdaraj, duke theksuar se rasti i tij vazhdon të mbetet i pazbardhur edhe pas më shumë se dy dekadash.
Në një postim në Facebook, Kurti ka shkruar se më 17 janar të vitit 2002, Hajdaraj u vra pranë banesës së tij në Pejë nga atentatorë të panjohur, të cilët, sipas tij, dyshohet se ishin të urdhëruar nga qarqe ende të paidentifikuara.
Ai ka theksuar se moszbardhja e këtij rasti, por edhe lidhjet e mundshme me atentate të tjera të pasluftës, lënë të kuptohen motive politike dhe përçarëse të kësaj vrasjeje.
“Smajl Hajdaraj nuk ishte vetëm deputet, por edhe profesor i matematikës, i përjashtuar nga sistemi arsimor nga regjimi serb në vitin 1990, dhe më pas veprimtar politik në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Në vitin 1998, ai iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke shërbyer si komandant i shtabit rajonal për Rugovë,” ka shkruar Kurti.
Sipas tij, pas çlirimit të Kosovës, Hajdaraj iu rikthye angazhimit në arsim dhe politikë, derisa shërbimi i tij si deputet i legjislaturës së parë të Kuvendit të Kosovës u ndërpre dhunshëm nga atentati ndaj tij.
Kurti ka theksuar se vrasjet e motivuara politikisht nuk janë krime ordinere, por goditje të rënda ndaj jetës politike dhe procesit të shtetndërtimit të Kosovës, duke nënvizuar rëndësinë e zbardhjes së plotë të këtyre rasteve.
“Zbardhja e këtyre vrasjeve është e domosdoshme për drejtësi ndaj viktimave, familjarëve të tyre dhe për mbarë shoqërinë,” ka përfunduar Kurti.
The post Kurti: Vrasja e Smajl Hajdarajt mbetet e pazbardhur edhe pas 24 vitesh appeared first on KosovaNews.



