Viti bankar 2025
Viti bankar 2025 u karakterizua nga konsolidimi i qendrueshmërisë financiare tek ne, nga rritja e kreditimit bankar dhe nga përmirësimi i treguesve të shëndetit bankar. Në sajë të përpjekjeve të Bankës së Shqipërisë(BSH), sektori bankar luajti një rol më aktiv në mbështetjen e ekonomisë reale të vendit.
Mes një situatë financiare dhe bankare ende të pasigurtë në Eurozonë dhe më tej, sistemi ynë bankar arriti të ruajë qëndrueshmëri dhe të përmirësojë performancën e tij. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, kredia për bizneset u rrit me 10 përqind në janar-qershor 2025, në krahasim me janar-qershor 2024, ndërsa depozitat u rritën me 4 përqind po për të njëjtën periudhë. Në një vit, kredia në lekë u zgjerua me 5 përqind, ndërsa ajo në valutë me 15 përqind. Kredia bankare u shpërnda gjerësisht në sektorë si energjia, tregtia, industria përpunuese dhe akomodimi. Huadhënia bankare dominohet nga kreditë për pasuri të paluajtshme, me afro 40 përqind të totalit.
Sipas bankave tregtare, kërkesa për kredi është rritur gjatë këtij viti, veçanërisht nga bizneset e vogla e të mesme, e orientuar tek projektet e investimeve. Standardet e kreditimit për bizneset e vogla e të mesme janë lehtësuar. Një nga arritjet kryesore të vitit 2025 ishte ruajtja e stabilitetit financiar. Sistemi bankar mbeti i kapitalizuar mirë dhe likuid (plot me para kartmonedhë). Bankat tek ne përballuan pa probleme luhatjet e tregjeve financiare ndërkombëtare dhe besimi i publikut në sektorin bankar u forcua më tej. Kushtet e financimit u përmirëuan, si rezultat i politikës monetare lehtësuese të BSH. Kredia bankare kontribuoi fort në vitin 2025, në rritjen e konsumit dhe investimeve private. Norma e kredive me probleme u ul në nivele historikisht të ulëta, ndërsa Banka e Shqipërisë forcoi kuadrin rregullator dhe mbikëqyrës të saj. Viti 2025 shënoi përparime të rëndësishme në transformimin digjital të shërbimeve tona bankare. U rritën si numer dhe u zgjeruan shërbimet bankare online dhe përmes telefonit celular inteligjent.
U shtuan fort pagesat elektronike dhe u ul ndjeshëm përdorimi i parasë cash. Banka e Shqipërisë luajti një rol kyç edhe gjatë vitit 2025, me politikën monetare të kujdesshme për mbajtjen nën kontroll të inflacionit, me balancimin mes qendrueshmërisë së çmimeve dhe nxitjes së rritjes ekonomike dhe me mbikëqyrjen aktive të sistemit bankar, duke krijuan një mjedis të favorshëm për aktivitetin e bankave tregtare. Futja praktike e Shqipërisë në SEPA (Zona Unike e Pagesave në Euro-në anglisht, Single Euro Payments Area) që nga 7 tetori 2025, vepër e bankës sonë qendrore, përbën një nga zhvillimet më të rëndësishme financiare dhe bankare të dekadës së fundit për ne. Ky hap e afron sistemin financiar shqiptar me tregun europian të pagesave, duke krijuar përfitime konkrete për qytetarët, bizneset, bankat dhe ekonominë në tërësi. Në këta tre muaj tetor-dhjetor 2025, përfitimi i qytetarëve të vendit dhe emigrantëve tanë llogaritet në 7-8 milionë euro. Nëse përpara 7 tetorit i dërgoje fëmijës tënd 1 mijë euro për studime në vendet e BE-se dhe paguaje 27 euro komision brenda një banke dhe 48 euro nga banka në bankë, tani paguan komision vetëm 6 euro brenda një banke dhe 10 euro nga banka në bankë. Kjo, ngaqë me SEPA-n, pagesat dhe transfertat në euro trajtohen njësoj si pagesat brenda vendit. Kjo ka ndikim të menjëhershëm në uljen e kostove financiare të ekonomisë. Me SEPA-n fitojmë dhe në kohë.
Pagesat në euro realizohen brenda 1 dite pune, ose më shpejt, rritet siguria dhe standardizimi i transaksioneve, si dhe reduktohen vonesat dhe pasiguritë në transfertat bankare. Kjo përmirëson ndjeshëm funksionimin e biznesit shqiptar dhe marrëdhëniet tregtare me partnerët europianë. SEPA krijon kushte më të favorshme për biznesin shqiptar, përmes uljes së kostove të pagesave edhe për eksportuesit tanë dhe lehtësim të marrëdhënieve financiare me partnerë në Bashkimin Evropian, duke ia rritur konkurrueshmërinë produkteve shqiptare. Për bizneset që operojnë me euro, kjo është një avantazh i drejtpërdrejtë konkurrues. Zbatimi i standardeve SEPA nxit përdorimin e pagesave bankare në vend të cash-it, rrit gjurmueshmërinë e transaksioneve financiare dhe ndihmon luftën kundër informalitetit dhe evazionit fiskal. SEPA përmirëson ndjeshëm edhe transferimin e dërgesave të emigrantëve, pasi siguron dërgim më të lirë dhe më të shpejtë të parave nga emigrantët dhe shton vlerën neto që përfiton familja në Shqipëri.
Futja në SEPA ka detyruar dhe nxitur investime në teknologjinë më të fundit bankare dhe përafrim me standardet europiane të pagesave. Kjo po e bën sektorin tonë bankar më konkurrues dhe më të integruar me BE-në. Në tërësi, viti bankar 2025 ishte një vit i suksesshëm për sistemin bankar shqiptar. Stabiliteti financiar, rritja e kreditimit, ulja e kredive me probleme dhe përparimi në dixhitalizim përbëjnë arritje të rëndësishme. Sfidat për vitin 2026 mbeten në drejtim të mbështetjes më të madhe të sektorëve prodhues dhe menaxhimit të rreziqeve të reja financiare. Roli i sektorit bankar do të jetë vendimtar për qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike në vitin e ardhshëm dhe në viet në vijim.



