Kosova nuk është shembull demokracie por shembull tifozerie
Indrit Vokshi
Kosova nuk është shembull demokracie por shembull tifozerie
Edi Rama në Shqipëri ka fituar me 83 mandate. Ka fitore më të thellë se Kurti. Edhe në 2013 ka fituar 83. A quhet ky shembull demokracie?
Në Kosovë nuk ka fituar raporti ekonomi-votë. Partia e Kurtit dhe partia e Vjosa Osmanit të cilat janë në koalicion, nuk e kanë zhvilluar fushatën mbi arritje në ekonomi. Ska pasur asnjë diskutim apo shpërblim me votë për përmirësimin e jetesës në këto 5 vjet.
I gjithë diskutimi ka qenë; ne dhe ata, ata me Listën Serbe, ne patriotë. E nuk ka lidhje “çlirimi i Veriut”, se po të matej kështu, Ramushi me ushtarë të cilët kanë çliruar krejt Rrafshin e Dukagjinit apo Limaj me ushtarë që kanë bërë beteja ushtarake në Kosovën Qëndrore, do të duhej të merrnin votë masive. Mirëpo nuk është kështu.
Ka fituar “Gjeopolitika e Emocioneve”. Gjeopolitika e Emocioneve titullohet një libër i shkruar nga Domique Moisi, hebre francez. Industria e Propagandës së Kurtit ka përdorur mirë gjeopolitikën e emocioneve, aq sa ka arritur ta damkosë Ramushin si “argat të Radojçiqit” vetëm prej një takimi publik të Ramushit me të në kohën kur Radojçiqi ishte faktor politik legjitim. E njëkohësisht ka arritur ta zbehë faktin publik kur Mimoza Kusari, shefe e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, doli në përgjime telefonike duke u kordinuar me Slavko Simiqin dhe Milan Radojçiqin.
Në gjeopolitikën e emocioneve nuk ka vlerë asnjë fakt, nuk çon peshë në peshore asnjë bilanc ekonomik apo rritje e mirëqenies së njerëzve; përkundrazi, rritja e mirëqenies kalon në plan të dytë, sepse në plan të parë del tifozeria për luftën kundër armikut. Ketë e përjetoi Shqipëria para vitit 1990; populli i varfër dhe në kequshqyerje, nuk kishte buk por ishte krenar për udhëheqësit e tij të lavdishëm cilët luftonin kundër armiqëve të brendshëm e të jashtëm, kundër sabotatorëve, kundër NATO-s dhe Traktatit të Varshavës.
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani e kanë bindur 50% të popullit të Kosovës se janë në gjendje lufte. Dhe në gjendje lufte duhet sakrifikuar, nuk duhet parë as ekonomia, asgjë tjetër. Në luftë nuk kërkohet llogari, sepse qeveria po merret me luftën e ska kohë për ekonominë e mirëqenien. E kanë bindur më verbërisht sesa kur ishte lufta e vërtetë sepse pas luftës së vërtetë, partia e dalë nga lufta nuk mori as 40%. Ishte minorancë. Ndërsa sot, partitë e dala nga lufta, në thonjza, partitë e Kurtit e Osmanit, marrin 50%. Dmth gjeopolitika e emocioneve shkon deri aty sa luftën e sotme e sheh si luftë më të vërtetë sesa lufta e vërtetë e 1998-1999-ës.
Kësisoji rezultati në Kosovë nuk është “festival demokracie” por është sukses absolut i gjeopolitikës së emocioneve ku dy parti marrin 50%, pa paraqitur asnje bilanc ekonomik dhe rritje të mirëqenies së njerëzve. Thënë ndryshe është kurorëzim i populizmit ekstrem, i tifozerisë dhe, i parimit se urrejtja e frika, dëshira për poshtërim dhe shtypje të rivalit të shpallur armik, zënë vend më lehtë sesa projektimi i “ditëve më të mira” ose i një politike racionale e cila mundohet pa sukses të flasë për principet normale se si duhen gjykuar politika e qeveria.
Nuk është taman-taman demokraci, është saktë-saktë përdorim i demokracisë dhe hapsirave të saj për të aplikuar metodikën e ndejtjes në pushtet pa rritur mirëqenien. Sështë Kosova as e para as e fundit që i ka rënë për hise ky eksperiment.



