http://rahovecpress.com/wp-content/uploads/2015/05/hajte.jpg - hajte

Kultivimi i perimeve të ndryshme viteve të fundit në Kosovë po shkon duke shënuar rritje. Madje është duke u rritur edhe llojllojshmëria e perimeve, të cilat kultivohen në tokën e Kosovës. Një ndër perimet që po kultivohet në sipërfaqe më të mëdha është edhe lakra, e cila përdoret si turrshi e që ka treg më të madh e po ashtu edhe lakra e sallatës. Aktualisht brenda një viti në Kosovë sipas statistikave kultivohen rreth 1300 hektarë me lakra.

Fermerët të cilët merren me kultivimin e lakrës thonë se janë të kënaqur me prodhimtarinë e kësaj kulture dhe me shitjen e saj në tregun vendor, e cila ndryshon varësisht prej sezonës.

Xhevrie Doroci nga Fshati i Broboniq i Komunës së Mitrovicës, merret me bujqësi që nga viti 2008. Ajo tregon se përveç kultivimit të lakrave, kultivon edhe pemë e perime tjera. “Me lakër kemi të kultivuar një hapësirë prej një hektarë. Ne kultivojmë dy lloje të lakrave, ato të cilat janë për turrshi e të cilat i shesim më shumë kur është sezona e tyre e po ashtu edhe lakrat, të cilat përdoren për sallata, ku edhe shitja e tyre është kënaqshme, por që në krahasim me ato për turrshi kjo është më e vogël”, thekson Doroci.

Ajo ka treguar se marrjen me bujqësi e kanë veprimtari familjare, derisa për këto veprimtari viteve të mëparshme nuk kanë pasur shumë përkrahje, po që së fundi ajo thotë se është përkrahur me një makinë për përpunim të perimeve nga CDF-i.

Fermerja Xhevrie Doroci nga Broboniqi, tregon për Portalin “Ferma Ime” se përveç kultivimit të lakrave merret edhe me kultivimin e pemëve, perimeve, dredhëzës, manaferrës dhe kulturat të tjera bujqësore, të cilat po tregohen të suksesshme.

E, zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), kanë treguar se aktualisht me lakër janë të kultivuar rreth 1300 hektarë. “Në tërë territorin e Kosovës, me lakër janë të mbjellë rreth 1300 hektarë, dhe kryesisht kjo kulturë kultivohet në sipërfaqe më të mëdha në rrafshin e Dukagjinit, ndërsa në sipërfaqe më të vogla edhe në rajone tjera të Kosovës”, kanë treguar zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë.

Adil Behramaj, zëdhënës i Ministrisë së Bujqësisë, tregon se sivjet kjo ministri përmes granteve investive dhe subvencioneve, do t’i përkrah të gjitha perimet, përfshirë edhe lakrën.

“Kultivuesit e perimeve, përfshirë edhe ata të lakrës, do të përkrahen në investimet e tyre për ndërtimin, riparimin dhe modernizimin e serrave të përhershme për perimtari apo për fidanishte me madhësi minimale prej 0.10 hektarë. Do të përkrahen në investimet për pajisje efikase për energji ose prodhim të energjisë në fermë nga burimet e ripërtërishme, në investimet për vendosjen ose avancimin e sistemeve të ujitjes në fermë sipas praktikave efikase të ujitjes, në investimet në makineri bujqësore dhe pajisje për mbrojtje të bimëve, plehërim, vjelje dhe pasvjelje, në ndërtimin e objekteve për ruajtje të prodhimit, objekteve për mbajtje të makinerisë bujqësore, si dhe depove për produktet për mbrojtje të bimëve dhe plehrat artificiale”, ka thënë Behramaj.

Investimet në projektet e tyre, Behramaj thekson se mund të shkojnë deri në 100 mijë euro brenda sektorit. Ndërkaq, përmes subvencioneve, ai tregon se perimtarët të cilët kultivojnë perimet në fushë të hapur do të përkrahen me nga 300 euro për çdo një hektar të mbjellur.

Ndërkaq, njohësit e fushës së perimtarisë thonë se kultivimi i lakrës është i dobishëm madje, kjo kulturë mund të kultivohet në parcelën e njëjtë pas korrjes së grurit.

Por sipas tyre lakra për të pasur rendimente të kënaqshme kërkon sasi të mëdha uji për ta ujitur./FermaIme/